Banorët të gënjyer, Velça vendbanim i hershëm por sot pa rrugë

Rruga që të çon në Velçë të Vlorës, një prej zonave ku janë zbuluar vendbanimet dhe shpellat më të hershme në gjithë rajonin, është në gjendje të mjeruar.
Një zonë me histori, por siç mund të dallohet, është lënë në harresë, së bashku me vlerat e saj. Banorët që kanë mbetur, janë në kushtet e mbijetesës, pasi vuajnë çdo ditë edhe për të shkuar deri në Vlorë. Kjo, për shkak të mungesës së një rruge të denjë.
“Është shumë shqetësuese, të gjithë banorët po ikin nga fshati. Na kanë premtuar disa herë dhe nuk e prekin me dorë. Hedhim katër herë në vite gomat”, thonë banorët dhe veçanërisht shoferët që mundësojnë transportin e vështirë.
Për ata që kanë automjetet e tyre, apo që kanë marrë përsipër të kryejnë transportin e njerëzve nga kjo zonë, shpenzimet dhe defektet e mjeteve janë thuajse të përditshme. Ndërsa një i moshuar, nuk nguron të shprehet se nëse fshatit i bëhet rruga ai do të ringjallet sërish.
Banorët shprehen se nëse do u zgjidhte problemi i rrugës, fshati mund të bëhet një atraksion për vizitorët, jo vetëm për natyrën edhe për historinë e këtij vendi.