Basha: Hajduti nuk ka shkuar me pushime

Në një bashkëbisedim me gazetarët, kreu i opozitës, Lulzim Basha, u shpreh se edhe pse jemi në sezon pushimesh hajdutëria vazhdon.

“Hajduti nuk ka shkuar me pushime. Hajdutëria vazhdon. Modeli që Rama aplikon është modeli tipik i regjimeve të korruptuara në botë. Metoda është ajo e fryrjes së kostove publike dhe marrjes mbrapsht të pjesës së fryrë”, tha Basha.

Basha përshëndeti, më tej, kthimin nga Presidenti Meta të ligjit për Milot-Balldren nga Presidenti Meta.

“Kjo shpjegon se pse 600 metra bulevard nga Sheshi Skënderbej te Stacioni i Trenit do të kushtojë shqiptarëve mbi 5 milionë euro. Nuk bën më shumë se 1 milionë euro. 4 milionë euro do të ndahet mes “Fushës” dhe Edi Ramës. Kjo shpjegon pse rruga Milot-Balldren vetëm 17 kilometra do t’u kushtojë shqiptarëve 256 milionë euro. Presidenti i Republikës e ktheu ligjin e këtij koncesioni, një vendim që e përshëndes, duke zbuluar se si sipas vetë burimeve zyrtare kosto u rrit artificialisht me mbi 50 milionë euro, veprim që e përshëndes. Rritja faktike e kostos është afro 150 milionë euro pra 3 fish. Ky është Kick-back i Milot Balldren, përfitimi që do të ndajë Edi Rama me oligarkun”, tha Basha.

Basha: Kallëzim penal për arkitektin e Teatrit Kombëtar
Basha u shpreh se opozita do të bëjë një kallëzim penal ndaj arkitektit danez të Teatrit Kombëtar Bjarke Ingels.

“Brenda javës së parë të shtatorit, opozita do të padisë në prokurorinë shqiptare dhe në atë daneze, arkitektin danez të Teatrit Kombëtar Bjarke Ingels dhe kompaninë e tij BIG, Po bëhen përgatitje për të bërë të njëjtat hapa, me mundësitë që kemi në opozitë, kur të jemi në qeveri, do të kemi të tjera mundësi, edhe për sa i përket mafiozëve kroatë të Ramës me kasat fiskale. Gjithashtu, i njëjti veprim do të bëhet edhe për sa i përket një tjetër shkatërrimi i një tjetër vepre, nëpërmjet mikut të Edi Ramës, Casamonti, që mesa duket do të marrë përsipër veprën korruptive tek sheshi Nënë Tereza”, tha Basha.

Pak ditë më parë, Basha nënshkroi edhe një pakt me artistët në mbrojtjes të Teatrit Kombëtar për restaurimin e tij dhe jo shembjen e godinës.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN