Sali Berisha e nisi muajin shtator me lajmin se deputetët demokrat po shkojnë drejt unifikimit. Në një konferencë për shtyp ai konfirmoi se po zhvillohen bisedime me Gazmend Bardhin, person i cili vijon të mbajë spaletat e kryetarit të grupit edhe në këtë nisje të sesionit parlamentar.
“Me zotin Bardhi dhe çdo deputet tjetër, përveç Ali Bashës dhe Lul Pengut, kjo parti është dhe do të jetë e hapur për diskutime. Po punohet. Kur ekziston vullneti, gjërat realizohen”, tha Berisha.
Agjenda e liderit të rithemelimit ishte e ngjeshur këtë ditë të parë të Shtatorit ku më herët kishte planifikuar edhe një mbledhje me grupin e deputetëve që e mbështesin. Porosia për ta ishte vijimi i aksionit opozitar kundër maxhorancës që për të, tashmë është e përbërë nga një aleancë e trefishtë.
“Parlamenti nis punimet me një aleancë të re. Aleanca Rama-Doshi-Brava është realiteti i ri, por edhe kjo është aleancë krimi e cila do të përfundojë së bashku me regjimin e krimit”, tha Berisha.
Ai shtoi se rruga për të mposhtur këtë aleancë janë zgjedhjet, por me një qeveri teknike, tek e cila sipas tij arrihet përmes protestave. Këtë porosi ua përcolli koordinatorëve politikë, për mobilizimin e anëtarësisë. “E kam thënë dhe e them, ne në pushtet me forcë nuk vijmë kurrë, nuk bëjmë luftë guerile ne, por ne me Edi Ramën zgjedhje nuk kemi. Zgjidhje është protesta, protestë e përgjithshme derisa të rrëzojmë këtë qeveri me qëllimin e vetëm për të rikthyer të drejtën e votës për shqiptarët”.
Krahas kësaj, Berisha kërkoi nga drejtuesit politikë edhe reformimin e strukturave të Rithemelimit, si dhe një analizë për çfarë nuk shkoi në organizimin e partisë gjatë zgjedhjeve, me qëllim mos përsëritjen e gabimeve. (A2 Televizion)