Basket në kushte ekstreme, sportistët me xhupa gjatë ndeshjes “derbi”

Nga basketbolli në futboll, në kryeqytet është java e derbit. Por, në vend të spektaklit në parket dhe në tribuna, sfida e përjetshme në basketboll u karakterizua nga temperaturat e ulëta dhe i ftohti jashtë normales në pallatin e sportit, ku edhe sportistët në stol ishin të detyruar të qëndronin me xhupa.
Në një situatë të tillë, aspak normale, është e vështirë për të gjithë. Për basketbollistët që luajnë: i ftohti bën që duart të mos kenë saktësinë e zakonshme.
Kjo u reflektua në rezultat, ku Tirana e fitoi derbin 66-63. Për Sportistët në stol duket edhe më e vështirë. Xhupi është e vetmja zgjidhje, ndërsa pak metra më tej, gjyqtarët kanë luksin e një ngrohësi elektrik.
Tifozët e paktë në tribuna, e shijuan edhe ata derbin mes temperaturave të acarta. Për më tepër, derbi i basketbollit për meshkuj nisi me një orë vonesë, sepse më parë në parket po luhej ndeshja e volejbollit për femra, Marin Barleti-Partizani e cila zgjati më tepër nga sa mendohej dhe përfundoi vetëm pas pesë seteve.
Arsyeja është mbi të gjitha ekonomike: Ndeshjet në Asllan Rusi i kushtojnë klubeve 10 mijë lekë të reja. Alternativa ideale do të ishte pallati i sportit “Feti Borova” në ambientet e Parkut Olimpik, ku ka sistem ngrohje që garanton ndeshje në kushte ideale, por kosto prej 30 mijë lekësh cilësohet e papërballueshme nga klubet. Zgjidhja për çmimin është në dorën e Bashkisë. Këta sportistë, të cilët e kanë të vështirë të stërviten si profesionistë, të paktën duhet të luajnë si të tillë. Mbi të gjitha në sfidat derbi.

Shkarkoni aplikacionin e A2