Betohet Drejtori i ri i Policisë, Nano: Sfidat të shumëfishta, do të çojmë përpara reformat

Drejtori i ri i Policisë së Shtetit, Gledis Nano, premtoi se do të rrisë bashkëpunimin mes Policisë dhe qytetarëve, në fjalën e tij të parë përshëndetëse gjatë ceremonisë së betimit.

Nano u shpreh se është në dijeni të sfidave që e presin në këtë post të ri dhe u angazhua se do të çojë përpara reformat në Policinë e Shtetit.

“Besimi i detyrës së drejtorit të Policisë së Shtetit, përtej privilegjit, më ngarkon me përgjegjësinë për të qenë në lartësinë e detyrës në shërbim të qytetarëve dhe në nderim të gjakut të derdhur nga çdo dëshmor. Falënderoj ministrin dhe kryeministrin për besimin e dhënë. Profesioni im është një pasion i frymëzuar nga babai im. Ky institucion është një pjesë e jetës sime që kërkon angazhim. Sfidat janë të shumëfishta, puna duhet të çohet para. Qytetarët presin standard, ne do të bëjmë maksimumin për t’i arritur. Kërkoj nga qytetarët ta konsiderojnë policinë si partner.

Bashkëpunimi qytetar-polici të forcohet sa më shumë. Ne synojmë një polici më të trajnuar, mirëmenaxhim të burimeve njerëzore të bazuara nga meritokracia. Do të çoj përpara reformat në policinë e shtetit. Kërkoj angazhim maksimal nga çdo efektiv”, u shpreh Gledis Nano.