Sondazh: A ju kanë bërë ndonjëherë shaka në ditën e 1 prillit?
  • Po, dhe ishte e bukur 50%
  • Po,dhe s'ishte argëtuese 50%
  • Jo, nuk më ka ndodhur 0%

Betohet presidenti i ri, mesazhet e Bajram Begajt si kryetar i shtetit

Nga A2 CNN
25 Korrik 2022, 10:10 | Politikë
Betohet presidenti i ri, mesazhet e Bajram Begajt si kryetar i shtetit

Bajram Begaj mori zyrtarisht mandatin pesëvjeçar në krye të Presidencës. Betimi mbi kushtetutë u pasua nga fjala e parë si President i Republikës. Në pak minuta, kreu i ri i shtetit i tregoi të pranishmëve prioritetet e detyrës së re ku më shumë zë bëri qëndrimi i tij ndaj klasës politike. 

“Këtë mision do ta kryej mbi palët, por unë nuk do të qëndroj neutral ndaj asnjërit, që bie ndesh me këtë betim, ndaj asnjërit që vendos interesat politike përpara interesit të Kombit tonë”, tha Begaj.

Në Parlament, Presidenti nuk tha asnjë fjalë për Kosovën, por u ndal më shumë te rrugëtimi europian i vendit. Terminologjia e përdorur për këtë çështje duket se krijoi konfuzion. “Shqipëria europiane është Shqipëria e Gjergj Kastriotit dhe e Nënë Terezës, e Ismail Qemalit dhe e Fan Nolit; është Shqipëria e rinisë antifashiste dhe e studentëve të dhjetorit”, tha Begaj.

https://a2news.com/2022/07/24/fjalimi-i-pare-i-begajt-interesi-yne-i-perbashket-konsolidimi-i-institucioneve/

Fjalimi presidencial përfundoi më shpejtë se ç’e kishte parashikuar protokolli. Presidenti u kthye në ulësen e tij, por në mes të rrugës u kujtua se nuk kishte përshëndetur Edi Ramën.

Emocionet ranë në sy edhe te kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, e cila njoftoi përcjelljen e Begajt duke harruar të mbyllë seancën plenare. I pari që e kuptoi ishte Edi Rama i cili u largua nga salla, më pas deputetët e tjerë dhe të ftuarit e nderit.

Ndryshe nga sa njoftoi, Lindita Nikolla e përcolli Begajn drejt zyrës së saj për të konsumuar kafen e parë me presidentin pasi seanca kishte përfunduar 45 minuta më shpejt.

Nga ceremonia në parlament, protokolli shtetëror i kaloi te dorëzimi i çelësave të Presidencës, nga Ilir Meta te Bajram Begaj. Dy presidentët për koincidencë kishin ngjyra të njëjta në veshjen e tyre. Begaj këtë herë në fjalën e tij mori më shumë kohë dhe i dha vëmendje edhe shqiptarëve në rajon.

https://a2news.com/2022/07/24/ambasadorja-amerikane-urime-bajram-begajt-te-punojme-per-forcimin-e-demokracise-ne-shqiperi/

“Do të jem shërbëtor i popullit tim, përfaqësues i unitetit tonë kombëtar, mbështetës i palëkundur i rrugëtimit euro-atlantik për të gjithë shqiptarët e Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi, Luginës së Preshevës, e kudo që ata jetojnë e punojnë”, tha Begaj.

Profili i ushtarakut ra në sy edhe tek fjalët e presidentit. “Në ushtrimin e mandatit tim, vëmendja ndaj çështjes së sigurisë kombëtare do të jetë gjithmonë e madhe në bashkëpunim të ngushtë me të gjithë aktorët që janë të ngarkuar nga ligji”.

Ndryshe nga pesë vitet e shkuara, tani më vendi do të ketë edhe zonjë të parë, me të cilën Begaj ka hyrë dorë për dorë në Presidencë, së bashku me dy djemtë. 

Zgjedhja e Bajram Begajt në krye të Presidencës erdhi si propozim i mazhorancës pas qëndrimit publik të Edi Ramës se vendi duhet të ketë një president normal, gjë që duket se u reflektua edhe në fjalimin e presidentit.

A2 CNN Livestream

Ditari nga Denisa Pasholli