Sondazh: Destinacionet e fundjavave tuaja janë:
  • Bregdeti 60%
  • Zonat malore 20%
  • Qendrat historike 20%

Bino për masat dhe vaksinën: Rriten të infektuarit, nuk dihet sa zgjat imuniteti ndaj Covid-19

Nga A2 CNN
15 Janar 2021, 16:10 | Aktualitet
Bino për masat dhe vaksinën: Rriten të infektuarit, nuk dihet sa

Festimet e fundvitit po i japin tani efektet në rritjen e pozitivitetit. Silva Bino thotë se janë shtuar rastet veçanërisht tek të rinjtë. Shefja për sëmundjet infektive në Institutin e Shëndetit Publik bën thirrje për respektimin e masave, ndërsa nuk përjashton mundësinë e qarkullimit të variantit të ri të koronavirusit në vendin tonë.

Shkelja e masave dhe grumbullimet për festat e fundvitit po japin efekte në rritjen e të infektuarve.  Në javën e dytë të janarit janë shtuar të prekurit nga koronavirusi dhe veçanërisht tek të rinjtë. Silva Bino thotë për A2CNN se aktualisht nuk do të ketë ndryshime të masave kufizuese, por në varësi të situatës do të merren vendime të tjera.

“Kemi rritje  të infektimeve në të gjitha grupmoshat, por ajo që vihet re është një rritje e rasteve edhe në moshat e reja. Kjo lidhjet me rritjen e kontakteve dhe mosrespektimin e masave gjatë festave të fundvitit. Deri tani vijojmë të jemi me këto masa. Në varësi të situatës apo të shpërthimeve të ndryshme, Komiteti i Ekspertëve do të përcaktojë edhe masat përkatëse”.

Shefja për sëmundjet infektive në Institutin e Shëndetit Publik nuk përjashton mundësinë e qarkullimit të variantit të ri të koronavirusit ashtu si në shtetet e tjera.

“Kemi testuar dy raste për të cilët morëm informacion që kishin patur kontakte jashtë vendit me një të diagnostikuar me variantin e ri. Rezultuan negativë. Virusi që shkakton COVIDIN është një virus që përhapet në rrugë respiratore dhe si i tillë është një virus që përhapet kudo.” 

Silva Bino thotë se jemi ende larg “imunitetit të tufës” përfshirë edhe Tiranën. Kritike ndaj studimit të fundit të Akademisë së Shkencave, Bino thotë se ende nuk dihet sa mbrojtëse apo jetëgjatë janë antitrupat ndaj Covid-19. Madje nuk ka të dhëna as sa zgjat imuniteti me vaksinën.

"Jemi shumë herët për të thënë se jemi afër imunitetit të tufës. Ne nuk dimë se sa mbrojtëse dhe sa zgjasin antitrupat.  Ne nuk dimë se sa zgjat me saktësi as imuniteti nga vaksina".

Përfaqësuesja e Komitetit të ekspertëve thotë së është miratuar plani kombëtar i vaksinimit. Ky proces nisi me mjekët dhe më pas do të shtrihet në popullatë. Sipas planit të parët do të jenë më të moshuarit, për shkak të vdekshmërisë më të lartë. Më pas vaksinimi do të zbresë tek grupmoshat e tjera në varësi edhe të sasisë së vaksinave që do të sigurohen.

A2 CNN Livestream

Debat - nga Alba Alishani