Sondazh: Sa ju kanë funksionuar dietat e shpejta pranverore?
  • Gjithmonë 18%
  • Me raste 45%
  • Asnjëherë 36%

Bisedimet me Vetëvendosjen, Mustafa: Presidenti, pjesë e ujdisë ose shkojmë në opozitë

Nga A2 CNN
18 Dhjetor 2019, 19:50 | Kosova
Bisedimet me Vetëvendosjen, Mustafa: Presidenti, pjesë e ujdisë

Posti i Presidentit është kthyer në një problem mjaft serioz dhe pengesë për formimin e ekzekutivit të ri në Kosovë.

Këshilli i Përgjithshëm i Lidhjes Demokratike të Kosovës doli në një vendim të prerë lidhur me negociatat për bashkëqeverisje me Lëvizjen Vetëvendosje: të gjitha funksionet zyrtare duhet të caktohen në akordin final ose alternativa është mbetja në opozitë.

Kryetari i LDK, Isa Mustafa u tregua mjaft i drejtpërdrejtë ndërsa prezantoi dhe zgjidhjen e paraqitur në tavolinën e negociatave: “Emrin e kandidatit për President do ta japim në momentin e procedurës së zgjedhjes së Presidentit. Vetëvendosja na ka pyetur a keni plan B. Ne u kemi thënë se plani ynë është që të shkojmë në opozitë. Nëse s’e bëjmë koalicionin, nuk bëjmë asnjë marrëveshje me partitë tjera dhe nuk e presim as Presidentin. Jeni të sigurt se nuk ka plane tjera”.

Ky qëndrim sigurisht nuk gëzon Albin Kurtin, i cili deklaroi gjatë ditës se do të priste pikërisht qëndrimin e LDK-së pas takimit të Këshillit të Përgjithshëm. Madje, nënvizoi se nga rezultati i këtij takimi do të bazoheshin dhe veprimet e mëtejshme të Lëvizjes Vetëvendosje për negociatat lidhur me formimin e koalicionit qeverisës.

LDK e konsideron të drejtë kërkesën e saj, me arsyetimin se në këtë mënyrë shmanget mundësia e rrëzimit të qeverisë. Por, gjithashtu është tregues i barazisë mes palëve.

“Ne e kemi dhënë një zgjidhje për kapërcimin e situatës. Takimin e kaluar ne kemi thënë që nëqoftëse LDK-së i jepet Presidenti, atëherë ne do të japim një nga ministritë. Domethënë, ata i bëjnë gjashtë ministri, ne i mbajmë katër”, tha Mustafa.

Pavarësisht ngërçit, LDK shpreson në lëshime nga Vetëvendosje në mënyrë që të arrihet dakordësia finale. 

A2 CNN Livestream

Dita jonë