Bisedimet në Uashington, Engel: Zhvillim pozitiv, por duhet zgjidhje politike

Kryetari i Komisionit të Dhomës së Përfaqësuesve për Marrëdhënie me jashtë, Eliot L. Engel e cilëson si një zhvillim pozitiv bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë në Uashington, por sipas tij konflikti duhet të përfshije njohjen reciproke.
Ligjvënësi amerikan tha se nuk ka asgjë të keqe qe të rritet zhvillimi i ekonomisë dhe tregtisë, por ky është një konflikt politik që kërkon zgjidhje politike.
“Dialogu duhet të sjellë si rezultat njohjen reciproke mes Kosovës dhe Serbisë. Duhet t’i hapë rrugën anëtarësimit të Kosovës dhe Serbisë në të gjitha strukturat e Atlantikut të Veriut, përfshirë Bashkimin Europian dhe NATO-n. Dhe duhet t’i sigurojë Kosovës anëtarësim të plotë në Kombet e Bashkuara dhe organizata të tjera të rëndësishme ndërkombëtare”, ishin fjalët e Engel.
Në një postim në rrjetin social Twitter ditën e enjte, këshilltari i presidentit Donald Trump për sigurinë, Robert O’Brien tha se mirëpret mbërritjen e Presidentit Vucic dhe të kryeministrit Avdullah Hoti në Shtëpinë e Bardhë.
”Këto diskutime të rëndësishme do të çojnë përpara paqen përmes bashkëpunimit ekonomik” deklaroi O’Brien. Të njëjtën gjë pohoi më herët një këshilltar i posaçëm i presidenti Trump, që se bisedimet e kësaj jave do të përqendrohen tek çështjet ekonomike dhe se Shtetet e Bashkuara nuk kanë asnjë plan sekret apo paragjykim për zgjidhjen politike.