Biznesi në alarm, “sado të mëdha të jenë problematikat, kaosi nuk zgjidh problemet”

Kriza politike, nuk është tashmë vetëm politike. Biznesi dhe ekonomistët apelojnë për qetësi, për të shmangur efektet negative tek ekonomia: trembjen e investitorëve, tkurrjen e konsumit dhe rënien e besimit. A është reale një frikë e tillë? Për këtë ishin të ftuar në A2 Business Week deputeti i Partisë Socialiste Ervin Bushati, Ilir Kalemaj, ekspert për ekonominë dhe Alban Zusin, kryetar i Qendrës së Eksporteve.
Alban Zusi është shumë i shqetësuar për klimën politike që po ndikon në mënyrë të drejtpërdrejtë në eksportet shqiptare.
“Kur ne vetë jemi të paqartë çfarë mund t’i themi partnereve tanë të huaj”. Për Zusin, të bindësh pastaj një investitor në Shqipëri “duhet të jesh i çmendur” në këtë moment.
Ai ka një thirrje për të dy palët, por padyshim që ai është “kundra çdo lloj forme të dhunës dhe të kaosit social, për sa kohë që nuk janë konsumuar te gjitha instrumentet që opozita ka në dorë”.
Ilir Kalmaj mendon që edhe pse “nuk diskutohet që situata ndikon” në një stepje të investimeve, ajo nuk është indikatori kryesor. Për këtë merr shembull eksportet me Kosovën, që janë tkurrur edhe pse Prishtina ka një bllokadë me Serbinë, dhe me siguri para krizës politike në Tiranë. Investimet “për 75% janë TAP dhe Devolli, që po mbarojnë”, ndërkohë që në vendet fqinje po interesohen kompani të ndryshme ndërkombëtare.
Për Ervin Bushatin, imazhi i vendit që po nëpërkëmbet nga opozita është një dëm i madh, sepse “edhe në Gjermani dhe Francë ka protesta, edhe më të dhunshme, por nuk i organizon opozita por partitë ekstreme”.
Por Zusi edhe një herë pranon që situata është e rënduar, në veçanti, “2 vitet e fundit, ku kemi një mospërfillje, ku bujqësia është në prag të shkatërrimit total”, ku industria e përpunimit të qumështit rrezikon së shpejti një krizë nga pamundësia për të paguar TVSH-në. Por nënvizon që “sado të mëdha të jenë problematikat, kaosi dhe anarkia nuk i zgjidhin problemet”.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN