Bogdani: Rasti i Pjetrit nuk thellon krizën, hap një hendek për ta zgjidhur

Gerti Bogdani i PD-së mendon se vendimi i kryebashkiakut të sapo zgjedhur të Shkodrës Valdrin Pjetri për t’u dorëhequr pas polemikave për të kaluarën e tij, përfaqëson dy fitore dhe një humbje për shoqërinë shqiptare.
“Është fitore në radhë të parë sepse Bashkinë e Shkodrës nuk mund ta marrë dikush që nuk është zgjedhur me votën e shkodraneve, sepse ai 6 % ishte një shuplake tronditëse për kryeministrin Rama, duke dëshmuar që me 30 qershor nuk ka patur zgjedhje, siç kemi thënë gjithmonë. Së dyti është një fitore në kuadër të ligjit për dekriminalizimin, sepse Pjetri është personi i radhës që dorëhiqet si Elvis Roshi, Arben Ndoka etj. Por është edhe një humbje për shoqërinë shqiptare, sepse kryeministri vazhdon të kandidojë persona me precedentë penal edhe pse vetë votonte, vetë numëronte”, deklaroi Bogdani i ftuar në A2.
Zërave që thonë që PD-ja nuk duhet të lej Shkodrën pa përfaqësim, Bogdani i përgjigjet se “ne do të vazhdojmë asaj që i kemi qëndruar deri sot, nuk mund të ketë garë përballë një personi me rekorde kriminale, që ka bërë lekë me para të pista, duhen kushte për zgjedhje të ndershme. Nuk bëhet fjalë vetëm për Shkodrën as për bashkitë e tjera, por për të drejtën e votës të qytetarëve shqiptarë”.
Por ndërkohë, ai beson se mund të ketë zhvillime në krizën politike në vend. “Rasti i Pjetrit nuk thellon krizën, por hap një hendek për ta zgjidhur, sepse vërteton faktin që në Shqipëri nuk ka zgjedhje të lira dhe të ndershme. Kriza duhet zgjidhur dhe është zoti Rama që duhet të bej hapa mbrapa tani”, thotë ai, duke menduar edhe pozitivisht për një rol domethënës të ndërkombëtarëve.

Shkarkoni aplikacionin e A2