Borchardt: Kundër bojkotit të ”vendoreve” të 30 qershorit

Edhe nëse opozita nuk merr pjesë në zgjedhjet vendore, rezultati i tyre mund të certifikohet nga OSBE-Odihr. I pyetur nëse do të njihen nga organizatat që monitoron proceset elektorale në mbarë botën, ambasadori i OSBE-së Bernd Boshard, thotë se gjithçka do të varet nga ecuria e procesit të 30 qershorit.
“Kjo varet nga mënyra se si zhvillohen zgjedhjet dhe nga gjetjet e vëzhguesve tanë. Kjo është diçka që unë nuk e parashikoj dot. Në përgjithësi, mund të them se ne, pikësëpari, i dekurajojmë bojkotet e zgjedhjeve”.
Boshard nuk e fsheh skepticizmin ndaj opozitës, “shohim një veprim në parlament, i cili nuk ka precedentë. Është kritikuar nga i gjithë komuniteti ndërkombëtar. Një nga arsyet është sepse ndez fitilin që i vë flakën sistemit të demokracisë parlamentare. Pyetja e radhës do të ishte: Kur do ta kemi sërish atë parlamentin që e ka mandatin për katër vjet dhe e bën të plotë? Kësaj radhe, politikanët pas dy vitesh patën idenë të digjnin mandatet e tyre. Radhës tjetër, ata mund të gjejnë argumente për ta bërë këtë pas tetë muajsh, dhjetëmuajsh apo një viti. Ky do të ishte, gjithashtu, edhe një shembull shumë i keq për të tërë rajonin”
Ambasadori i OSBE-së i sheh legjitime dhe votat e deputetëve të rinj për të ndryshuar kodin zgjedhor. Por nuk mendon kështu ish bashkëkryetari i komisionit të reformës elektorale Oerd Bylykbashi.
Pasi rendit një seri arsyesh përse janë vjedhur zgjedhjet në statusin e tij, Bylykbashi i drejtohet dhe Boshard. “Të mos reagosh, të mos thuash gjysmë fjalë për të gjitha këto, të mjaftohesh vetëm me përmbledhje ekzekutive raportesh dhe të relativizosh problemet e rënda, është një shembull i keq për të gjithë”, nënvizon Bylybashi.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN