Sondazh: Destinacionet e fundjavave tuaja janë:
  • Bregdeti 67%
  • Zonat malore 33%
  • Qendrat historike 0%

Bozdo: Duhet një paketë e tretë, ku të përfshihet edhe bujqësia

Nga A2 CNN
11 Maj 2020, 10:20 | Politikë
Bozdo: Duhet një paketë e tretë, ku të përfshihet edhe

Eno Bozdo, përfaqësues i Partisë Demokratike, në një lidhje direkte me “Dita jonë” në A2, shprehu shqetësimin e tij për faktin se qeveria nuk e ka përfshirë aspak bujqësinë në debatin ekonomik.

“Deri më sot, debati ekonomik për pandeminë është përqendruar në pjesën industriale. Problematika më e madhe po shfaqet në sektorin agrobujqësor, që punëson afërsisht 450 000 persona. Është i gjithë zinxhiri ushqimor që varet nga shëndeti ekonomik i këtij sektori. Qeveria ka qëndrim të prerë që nuk do të ketë paketë për bujqësinë dhe ky është problem shumë i madh tani që sektori ka mungesë likuiditeti. Do të jemi në pozitë të vështirë më vonë ndaj vendeve fqinje që po e ndihmojnë aktualisht sektorin e bujqësisë”, theksoi Bozdo.

“Qeveria duhet të kishte bërë gjithçka ndryshe, duke nisur nga dy paketat e para që janë të përqendruara te personat që kanë humbur vendin e punës. Janë paketa sociale, jo për ekonominë. Duhet një paketë e tretë e fokusuar totalisht tek ekonomia prodhuese. Brenda kësaj pakete të tretë, një pjesë e mirë e paketës duhet t’i dedikohet sektorit bujqësor”, shtoi Bozdo.

Sipas tij, “ka shumë të ngjarë që të gjitha sakrificat e shqiptarëve të kthehen mbrapsht sepse kryeministri ka refuzuar kërkesën e opozitës për sa më shumë testime” dhe shtoi se “kthimi në normalitet do të kërkojë kohë”.

Në lidhje me Reformën Zgjedhore, Bozdo deklaroi: “Mendoj se do të hasim rezistencë të fortë nga mazhoranca për të miratuar çdo lloj mase që sjell transparencë të zgjedhjeve, kontroll të rezultatit në kohë reale, apo në masat që kanë lidhje me rolin e policisë në ditën e votimit apo rolin e SPAK-ut. Unë nuk pres gjë nga një mazhorancë që shpresën e vetme e ka varur në fitoren e zgjedhjeve duke i manipuluar ato”.

Kur u pyet për planet e Partisë Demokratike, Bozdo tha: “Qëndrimi i PD-së nuk ka ndryshuar. Në rastin e parë që të jetë e mundur do të kërkojë me forcë mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme. Por, ky është subjekt i daljes nga pandemia. Jemi në një situatë kur dalja po induktohet si diçka virtuale. Është vullneti politik i kryeministrit që pandeminë ta shfrytëzojë për qëllime elektorale, i cili po dikton edhe daljen e shqiptarëve nga pandemia. A është vërtetë situata që mund të flitet për dalje? “Financial Times” sot thonte se rikthimi i rasteve në Korenë e Jugut apo Gjermani, ndalon planet e Brukselit për rikthim në normalitet”.

A2 CNN Livestream

Ditari nga Bruna Çifligu