Britania në gjurmët e SHBA, ilaçi kundër malarias testohet tek personeli shëndetësor

Mbretëria e Bashkuar ka nisur testimin e dy ilaçeve kundër malarias në Brajton dhe Oksford, për të parë nëse parandalojnë Covid-19.
Klorokina dhe hidroksiklorokina do t’u jepet më shumë se 40 mijë punonjësve të shëndetësisë nga Europa, Afrika, Azia dhe Amerika e Jugut, si pjesë e një nisme globale për të parë efektshmërinë e këtij trajtimi.
Të gjithë pjesëmarrësit janë anëtarë stafi mes bluzave të bardha, të cilët kanë kontakt të vazhdueshëm me pacientë të infektuar nga Covid-19. Pjesëmarrësit e parë në Britaninë e Madhe do të trajtohen me klorokinë dhe hidroksiklorokinë për 3 muaj.
Ky shtet synon të krijojë 25 zona testimi në të gjithë territorin e tij dhe rezultati pritet të bëhet publik në fund të vitit. Në këtë eksperiment mund të marrin pjesë të gjithë punonjësit e shëndetësisë, për sa kohë nuk janë diagnostikuar me koronavirus.
Presidenti amerikan u kritikua këtë javë pasi pohoi se ka marrë medikamentin çdo ditë, pavarësisht paralajmërimeve se një gjë e tillë është e pasigurtë. Një ndër synimet e këtij eksperimenti global është të përcaktojë nëse këto dy ilaçe sjellin më shumë benefite apo dëmtojnë trupin e njeriut gjatë luftës kundër koronavirusit të ri.
Klorokina dhe hidroksiklorokina mund të reduktojë temperaturën e lartë dhe inflamacionin dhe të dyja përdoren për trajtime kundër malarias. Gjithashtu rregullojnë kundërpërgjigjen imunitare të trupit të njeriut. Kjo vëmendje e madhe tek këto medikamente mund të rrezikojë furnizimet për pacientët me sëmundje të tjera që e kanë të nevojshëm trajtimin me klorokinë dhe hidroksiklorokinë.