Sondazh: Sa ju kanë funksionuar dietat e shpejta pranverore?
  • Gjithmonë 18%
  • Me raste 45%
  • Asnjëherë 36%

Britania sërish në Bashkimin Europian?

Nga A2 CNN
20 Shtator 2022, 15:20 | Bota
Britania sërish në Bashkimin Europian?

Thuajse dy vite pas Brexit, Mbretëria e Bashkuar po tundohet nga një projekt i Bashkimit Europian. Bëhet fjalë atë që po konsiderohet si “klubi politik i kombeve europiane”, me qeverinë e Londrës që po shqyrton nëse do të marrë pjesë në takimin e parë të tij që mbahet muajin e ardhshëm në Pragë të Çekisë.

Downing Street kërkon të shohë më shumë detaje të samitit përpara se kryeministrja Liz Truss të marrë një vendim për pjesëmarrje apo refuzim të eventit. Komuniteti Politik Europian, emërtimi zyrtar, është një ide e krijuar dhe mbështetur nga presidenti francez, Emmanuel Macron. Shefi i Pallatit Elize e propozoi atë në muajin maj, si “një hapësirë të re” për bashkëpunim. Macron sugjeroi se ky grupim mund të diskutojë për çështje të sigurisë, energjisë, transportit dhe lëvizjes së lirë të njerëzve, veçanërisht të rinjve. Synimi i gjerë e kësaj nisme është të krijohet një forum që shkon përtej 27 vendeve anëtare të Bashkimit Europian.

Britania e Madhe kërkon garanci se takimi nuk do të dominohet nga shtetet apo institucionet e BE-së. Gjithashtu kërkon që pjesëmarrës të jenë vende të tjera të rëndësishme jashtë bllokut. Sipas raportimeve të deritanishme, pritet që në samitin e Komuniteti Politik Europian të afrohet Ukraina, Zvicra, Norvegjia, Turqia, të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë Shqipërinë, bashkë me Islandën, Lihteshtajnin, Moldavinë, Gjeorgjinë, Armeninë dhe Azerbajxhanin.

Shumë pak detaje kanë dalë lidhur me këtë iniciativë, për të cilën ka dyshime se mund të përdoret nga Franca, vend skeptik i zgjerimit të BE-së, si një “zonë pritjeje” për shtetet që aspirojnë t’i bashkohen Bashkimit Europian. Megjithatë liderët e unionit insistojnë se nisma nuk do të zëvendësojë procesin e zgjerimit.

A2 CNN Livestream

Dita jonë