Budina: Do rikthehemi në Tiranë me një protestë të fuqishme, politike por jo partiake

Ka kaluar tashmë një javë nga shembja e Teatrit Kombëtar, dhe protestat e Aleancës për Teatrin vijojnë në qytete të ndryshme, edhe pse për disa çaste fokusi i politikës duket sikur po spostohet në çështje si reforma në drejtësi dhe ajo zgjedhore.
Por Robert Budina, një nga artistët më të identifikueshëm të Aleancës, duket optimist se vala e kësaj proteste qytetare nuk do të shuhet.
“Kemi vizituar qytete të ndryshme, ka një ndërgjegjësim të qytetarëve, na kanë thënë se donin të vinin javën e kaluar por rrugët që në mëngjes ishin të bllokuara. Tashmë ata e kanë kapur mesazhin tonë, që rrëzimi i teatrit ishte edhe rrëzimi i shtetit të së drejtës, të artit, të qytetarisë. Po u kuptua ky mesazh, mund te jetë fillimi i një epoke të re”, thotë Budina për A2.
Regjisori paralajmëron rikthimin e protestave në Tiranë. “Po matim forcat, por do të jetë e fuqishme, diçka që mund ta realizojë vetëm kultura dhe një lëvizje qytetare. ”, thotë ai.
Budina nuk i trembet termit “politikë”, por ai bën një ndarje midis protestës politike dhe asaj partiake. Ai mendon se nisma e tyre nuk mund të monopolizohet nga një parti, sepse “kjo kauzë ka bashkuar shumë qytetarë me bindje politike shumë të ndryshme, Pra ne qëndrojmë jashtë partive politike, mendojmë se është mënyra e duhur që shqiptarët të shkojnë drejt zgjidhjeve dhe jo thjesht drejt vazhdimit të një politike që ka 30 vjet që ka nisur”.
Objektivi i artistëve të Aleancës është i qartë. “Rrëzimi i diktaturës, fillimisht. Do të kërkojmë hetim për tentativë për vrasje të artistëve, nuk do mendoja kurrë që prishjet do të fillonin me artistët brenda. Ishim 8 veta në një dhomë në katin e tretë. Gërmimet filluan me ne brenda, pastaj normalisht braktisëm godinën se na kapi paniku, nuk jemi super njerëz”, rrëfen regjisori.