Sondazh: Destinacionet e fundjavave tuaja janë:
  • Bregdeti 100%
  • Zonat malore 0%
  • Qendrat historike 0%

Bukinistët e Parisit në kohë pandemie

Nga A2 CNN
10 Tetor 2020, 15:11 | Aktualitet

Çelësa që tringëllijnë të varur në një zinxhir të gjatë, librashitësi Jerome Callais, hap stendën e tij të librave me pamje nga Sena. Callais është një nga 227 librashitësit e Parisit, që tregtojnë libra të dorës së dytë, përgjatë 3 kilometrave argjinaturë buzë lumit, një traditë kjo e nisur prej shekujsh, e që vazhdon  edhe në këto ditë të vështira pandemie.

“Unë jam Jerome Callais, kam punuar si bukinist për 30 vite në Quai de Conti. Unë jam bukinist, një profesion i veçantë në Paris, i cili ekziston prej 450 vitesh”, thotë ai.

Edhe pse ky biznes nuk ka qenë kurrë fitimprurës, Callais thotë se mungesa e vizitorëve në qytet i ka ulur shitjet akoma më tepër. Sipas tij, para pandemisë, 1/3 e klientëve ishin vizitorë të huaj dhe po aq vizitorë të tjerë nga zona jashtë Parisit. Bukinistët lejohen të shesin edhe suvenirë apo kartolina, edhe pse në sasi të kufizuar sa ¼ e stokut, por ata klasifikohen si librashitës dhe për pasojë nuk përfitojnë nga skemat mbështetëse të qeverisë për sektorin e turizmit.

“Ne nuk jemi një lagje librarish. Ne jemi shitës librash në një segment ku kalojnë turistë, ne jemi një xhevahir për Parisin ashtu si është Notre Dame, Louvre apo Montmartre. E pikërisht për këtë arsye jemi komplet të varur nga turizmi. Nuk mund të lihen jashtë bukinistët. Kjo është si të lësh jashtë kullën Eiffel apo katedralen Notre Dame. Ne jemi një pjesë e historisë dhe e të ardhmes së Parisit”, thotë ai.

Librat shiten përgjatë bordurës së lumit që nga shekulli XVI, por stendat e famshme me ngjyrë jeshile që shihen sot, janë vendosur aty në shekullin XIX. Shitësit e librave nuk paguajnë qira, stendat jepen në përdorim për një periudhë 5-vjeçare me vendim të këshillit bashkiak, në bazë të disa kushteve, një prej tyre që aktiviteti të qëndrojë hapur të paktën 4 ditë në javë.

Callais e përshkruan punën e tij si çështje dashurie. Ai thotë se shumica e njerëzve në këtë profesion janë pensionistë, nga një punë e mëparshme ose të martuar të cilët kanë një partner me të ardhura të mjaftueshme. “Është vështirë që ky të jetë profesioni yt i parë, por thuajse gjithmonë është i fundit. Kur nis këtë lloj jetese buzë lumit, është si drogë. Ca njerëz shkojnë në kafene, ne shkojmë të hapim stendat. Ne vijmë këtu për të ndërvepruar me njerëzit, për të shkëmbyer njohuri. Ne mësojmë, por edhe u mësojmë të tjerëve. Por nga një ditë në tjetrën çdo gjë u ndal, nuk kishte ndodhur kurrë në historinë e këtij profesioni. Për dy muaj të gjitha stendat u mbyllën, asnjë nuk u hap”.

Callais është shumë skeptik mbi teknologjinë. Ai ka krijuar një profil në FB për të promovuar aktivitetin e “Shoqatës Kulturore të Bukinistëve të Parisit” në të cilën mban postin e presidentit, por vijon të përdorë një telefon me kabllo, të fshehur pas stendës jeshile. “Ne kemi vuajtur shumë nga konkurrenca në internet, nga Amazon dhe faqe të tilla që shesin libra por nuk janë librashitës. Ato janë makineri për të bërë para. S’ka poezi në punën e tyre. Në internet nuk merr të njëjtin shërbim që merr këtu. Ai miku im që patë të më fliste pak më parë, më pyeti për botime me poezi, i sugjerova 10 apo 12 tituj, shumicën e të cilëve nuk i kishte dëgjuar kurrë. Kjo është puna e një shitësi librash, të të japë këshilla, të bëj të zbulosh gjëra të reja, të të hapi horizontin”.

Ndërkohë Callais ka nisur një fushatë për të përfshirë “Bukinistët e bregut të Senës” në listën e trashëgimive kulturore të UNESCO-s. “Në asnjë vend tjetër të botës nuk shiten libra në një hapësirë të tillë, çdo ditë të vitit. Jemi hapur nga 1 janari në 31 dhjetor, veç ditëve kur bie borë apo shi, ju e dini letra dhe shiu nuk shkojnë mirë bashkë. Kaq shumë shitës, kaq shumë libra, një hapësirë kaq e madhe, ekzistojnë vetëm në Paris”.

A2 CNN Livestream

Dita jonë