Bumi i ndërtimit larg tkurrjes, tërmeti dhe pandemia nxitën kërkesën

Pas një cikli rritës, gjithmonë vjen rënia. Por ndërtuesit shprehen se nuk ka mbërritur ende ky moment, për shkak të kërkesës në rritje të vazhdueshme, edhe në pandemi.
Sekretari i Përgjithshëm i Shoqatës së Ndërtuesve të Shqipërisë, Arben Dervishi, komenton bumin e lejeve të ndërtimit të këtij viti. Sipas tij tregu nuk shfaq ende shenja ngopjeje, për shkak se një pjesë e madhe e lejeve janë për hotele, magazina dhe godina industriale, ndërsa segmenti i ndërtesave për banim është mjaft stabël.
“Nuk është se kemi një rritje kudo, normal që në Tiranë dhe në Durrës, ose në zonat bregdetare, ka një trend të tillë. Duhet të jemi të vëmendshëm për mbingopjen, por për momentin nuk po ndodh. Arsyet ishin problemet e pandemisë dhe tërmetit, me personat që munden që po kërkojnë apartamente më të sigurta”, thotë për A2 Arben Dervishi, Sekretari i Përgjithshëm i Shoqatës së Ndërtuesve të Shqipërisë
Bumi i industrisë së ndërtimit nisi pas tërmetit të 26 Nëntorit, por ishte pandemia që i dha një shans të madh, duke i lejuar të thithin shumë punëtorë të kualifikuar prej kufizimeve për të udhëtuar jashtë. Sot ndërkohë, teksa volumi i lartë i punës vijon, po ndihen mungesa për specialistë.
“Një pjesë e firmave po shohin në tregun e huaj, sepse ka mungesë specialistësh, që janë të domosdoshëm në procesin e ndërtimit”, shton Dervishi.
Shumë individë i panë pasuritë e paluajtshme si investimin më të mirë të kursimeve të tyre gjatë pandemisë, një tjetër arsye që i dha hov ndërtimit.