Bylykbashi: Pse nuk tërhiqen kryebashkiakët demokratë? Nga një angazhim i 4 viteve më parë

“Jemi në mes të një krize nga më të mëdhatë që ka patur ky vend”. Dhe kriza, për Oerd Bylykbashin, nuk shmang as zgjedhjet vendore.
Polemikat e fundit të ekzekutivit me kryebashkiakun demokrat të Kavajës Isa Sakja, për Bylykbashin janë një konfirmim i mëtejshëm i qasjes së kryeministrit Edi Rama.
“Sakja e ka kthyer në normalitet Kavajën, aty ku kryebashkiaku i parë ishte dënuar për përdhunim në grup, dhe plagosje me dashje”, thotë Bylykbashin, duke kujtuar akuzat ndaj Elvis Roshit.
“Ramës i ka djegur fitorja e Sakjas”, thotë demokrati, “dhe tani po tenton të intimidojë me të gjitha mjetet, qoftë edhe me dhunën institucionale”.
Diçka jo e çuditshme, për Bylykbashin, nga momenti që kryeministri “po kap të gjitha pushtetet, edhe atë të drejtësisë, “falë Vettingut por edhe selektivitetin” me të cilin zgjedh personat.
Sipas Bylykbashit, për atë që po akuzon kryebashkiakun e Kavajës, i pari që do të duhej “dënuar me burg” është pikërisht Erion Veliaj, në një moment ku “ tiranasit do të zgjohen një ditë kur afro 300 leje ndërtimi do të zhvillohen njëkohësisht, duke u përballur me një katastrofe urbanistike”.
Po atëherë, pse nuk tërhiqen edhe kryebashkiakët demokrat?
Bylykbashi nuk i trembet pyetjes, por shpjegon që “mandati i tyre mbyllet pas tre muajsh, por ka edhe një element simbolik. Në ato bashki ne japim shërbime. Kemi patur një angazhim 4 vite më parë. Kemi marrë përsipër që t’i japim shërbime këtyre individëve, ndryshe nga kryetarët e bashkive banditë, sepse janë vetë ose banditë , ose sepse qeverisin me bandat”.