Çelja e negociatave, Reuters: Franca, Holanda dhe Danimarka janë kundër

Franca mësohet t’i ketë thënë shteteve të tjera europiane se është kundër nisjes së bisedimeve për anëtarësim në BE me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Agjencia Reuters, duke cituar burime diplomatike, thotë se ky vendim hedh hije të tjera mbi ambiciet e vendeve të rajonit për t’u integruar në Perëndim.

Më shumë se gjysma e 28 shteteve të unionit, si edhe zyrtarët bë Bruksel, kanë këmbëngulur për nisjen e bisedimeve me vendet e Ballkanit, si shenjë vlerësimi për reformat e ndërmarra. Ata paralajmërojnë se Rusia, Kina dhe Turqia, do të përfitojë nga “vakumi strategjik” në rajon. Megjithatë, Parisi thotë se BE ka shumë sfida të tjera për momentin, që e pengojnë të merret me futjen e dy shteteve të tjera nga Ballkani në union, një rajon që është ende i prekur nga luftërat e viteve 1990 dhe që po has vështirësi me krimin dhe korrupsionin.

Franca thotë se BE duhet të reformohet nga brenda, për t’u marrë me më shumë forcë me çështje të brendshme si ndryshimet klimatike dhe emigracioni, dhe dy shtetet kandidate duhet të vazhdojnë me reformat në mënyrë që nisja e bisedimeve të miratohet.

“Ata nuk janë ende gati. Po i kërkojmë që të bëjnë përpjekje shtesë”, tha për Reuters një zyrtar francez. “Bisedimet nuk mund të nisin në tetor 2019, do të na duhet të rivlerësojmë situatën diku nga viti 2020”.

Burime për Reuters thanë ed edhe Holanda dhe Danimarka ishin gjithashtu kundër nisjes së bisedimeve me Shqipërinë, duke e kundërshtuar qartazi këtë në mbledhjen e ambasadorëve këtë të enjte. Ndërsa sa i përket Maqedonisë së Veriut, Holanda është me fleksibël me Maqedoninë e Veriut.

Për të nisur bisedimet duhet miratimi i 28 vendeve anëtarë. “Është në lojë besueshmëria jonë”, tha për Reuters një zyrtar i një shteti që është i gatshëm të hapë bisedimet. “Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria kanë bërë shumë. Po, mbetet akoma shumë për t’u bërë, por nisja e bisedimeve është vetëm hapi i parë, procesi do të kërkojë vite dhe ata duhet të plotësojnë kushte të tjera para se të lejohen të bëhen pjesë e unionit”.

Shkarkoni aplikacionin e A2