Çështja Dajti, vendimi që vuri në dyshim korrupsionin e gjyqtarëve

Me 14 shkurt policia e shtetit vuri në zbatim urdhrin e Gjykatës së Krimeve të Rënda, për kontrollin e 5 banesave të gjyqtarëve të Apelit, të cilët vendosën gjykimin e shkurtuar për Dritan Dajtin. Në procesverbalin e kontrollit, mbajtur nga oficerët e policisë gjyqësore, pas kontrollit të banesës së gjyqtarit Skënder Damini, thuhet se u sekuestruan 17 mijë euro, një karikator pistolete si dhe 8 fishekë. Ky veprim është paditur nga gjyqtaret si i paligjshëm, duke pretenduar se për të ka vendosur vet ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj.
Në vendimin e 14 shkuarit thuhet se: Referuar informacionit të Institucioni të Ekzekutimit të Vendimeve Penale dhe dokumentit “lineri i takimeve të prokuroreve, oficerëve të policisë gjyqësore, avokatëve dhe shërbimit të provës. Përftohen njoftime mbi takime të shpeshta te të dyshuarit Bledar Musaji me të gjykuarin Dritan Dajti”.
Nga Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda, rezultojnë të marra këto kopje të njësuara të procesverbaleve të seancave gjyqësore, për gjykimin e çështjes penale ndaj Dritan Dajtit si dhe vendimeve gjyqësore të marra si nga gjykata e shkallës së parë ashtu edhe e apelit për këtë çështje.
“Mbi bazën e informacioneve të përftuara nga shërbimet e policisë gjyqësore dhe të dhënave të grumbulluara krijohen dyshime se vendimi gjyqësor I disponuar nga Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda datë 08.02.1019 është dhëne mbi bazën e kërkimit dhe të marrjes së përfitimeve materiale të parregullta”.
Gjyqtaret që firmosën vendimin për uljen në 1/3 të dënimit për Dritan Dajtin janë tashmë persona nën hetim dhe kontrolli në banesat e tyre kishte motiv sekuestrimin e provave që e vërtetojnë këtë dyshim të ngritur. Banesat janë kontrolluar me imtësi, deri në gjerat personale dhe objektet që mund të përbejnë fshehje të provave.
Procesverbali që policia ka mbajtur pas kontrollit në banesën e gjyqtarit Damini thotë se: “Paratë u gjenden në një sytarët e dhomës së gjumit. Ato ishin ndarë në dy qese. Në të parën u sekuestruan 10 mijë euro të prerjeve të ndryshme, ndërsa në të dytën 7 mijë euro. Në dokument thuhet se gjyqtari Damini deklaron se eurot I përkasin biznesit të djalit ndërsa krehri dhe 8 fishekë pistolete kanë mbetur nga koha kur ka qene i pajisur me leje armatimi personal”.
Në një paragraf të këtij procesverbali shkruhet se nga ana e gjyqtarit nuk ka patur asnjë pretendim me rregullsinë e kontrollit. Tre gjyqtarët që pranuan gjykimin e shkurtuar në Apel për Dritan Dajtin pritet të merren të pandehur.
Një ditë pas zbardhjes së vendimit të 8 shkurtit nga Gjykata e Apelit, prokurorët e krimeve të rënda pritet t’i drejtohen Këshillit të Lartë të Gjyqtarëve për shkarkimin e tyre dhe marrjen nën hetim për korrupsion. Zbardhja e vendimit për pranimin e shkurtuar ndaj Dritan Dajtit nuk mund të bëhej nga gjyqtarë të tjerë, ndaj prokurorët ishin të detyruar të vonojnë kërkesën e tyre për shkarkim nga detyra.
E vetmja provë që kanë sot prokurorët për tre gjyqtarët janë telefonat e tyre personal të cilët ndodhen në laborator për ekzaminim. Aty pritet të zbardhen biseda dhe komunikime që vërtetojnë dyshimet se këta gjyqtarë janë përfshirë në një afer korruptiv në shkëmbim të këtij vendimi, për të cilin drejtësia ende nuk e ka thënë fjalën e fundit.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN