Çfarë po hamë? Zv. ministri Kote: Ka abuzues, por produktet e rajonit nuk janë më të garantuara

Vendimi i Qeverisë për të ashpërsuar dënimin për subjektet që abuzojnë me sigurinë ushqimore ka rihapur debatin e përhershëm mbi cilësinë e ushqimeve që konsumojmë përditë.
Zv. ministri i Bujqësisë dhe zhvillimit rural Dhimo Kote, ishte i ftuar në A2 CNN për të dhënë një kuadër më të qartë për këtë problematikë.
Ai siguron që “nuk janë më të garantuara produktet e rajonit nga ata shqiptare, kjo është e sigurt” edhe pse fakti i të qenit pjesë e tregut evropian ka evoluar kërkesën e konsumatorit shqiptar, ka rritur nivelin e tij dhe si pasojë kërkon edhe përditësimin e legjislacionit në këtë fushë.
Sipas tij, ashpërsimi i masave kundrejt abuzuesve është vendimi i duhur “për të ndarë dhe për të mos bërë pis luftën e madhe që bëjnë fermerët tonë që eksportojnë në të gjithë Evropën”.
Këtu zv. ministri jep disa shifra. “Ne po eksportojmë gati 250 mijë tonë në vit fruta dhe perime, ndërsa rreth 120 mijë tonë konsumohet në tregun vendas”, shton ai.
Kjo do të thotë që në shumicën e rasteve fermerët respektojnë standardet evropiane. Dhe shton se legjendat që thonë frutat dhe perimet për eksport nuk janë të së njëjtës cilësi si ato që konsumohen brenda mbeten të tilla, “pa përjashtuar abuzimet”, por që nuk përbejnë normalitetin.
Po ku janë atëherë problematikat? Ai jep një shembull. “Fermerët e pandërgjegjshëm, duhet të përdorin insekticidet ashtu siç duhet, si të jetë një medikament që përdorim për trupin tonë, me vitaminat shoqëruese etj. Edhe në vendet më të zhvilluara lufta është e përditshme kundër abuzimeve ushqimore”, thotë Kote.
Kote saktëson edhe që po synohet ndryshimi rrënjësor i sistemit të kontrollit, ku për shembull për sa i përket produkteve shtazore, do të merren praktikat e përdorura nga një vend model evropian si Irlanda, sipas një projekti të monitoruar nga ekspertë të atij vendi.

Shkarkoni aplikacionin e A2