Çfarë po ndodh me operacionin ”Forca e Ligjit”

Forca e Ligjit ishte një nga operacionet e trumbetuara fort nga qeveria Rama dhe partnerët ndërkombëtarë. Por pas largimit të Fatmir Xhafajt operacionit i ka mbetur vetëm emri. Pak dite më parë në një intervistë për A2 CNN, ambasadori Soreka e inkurajoi këtë operacion dhe paralajmëroi një takim me ministrin e brendshëm Sandër Lleshaj.
Pjesë e Forcës së Ligjit, operacionit më të rëndësishëm të policisë shqiptare të reklamuar fort nga qeveria u bënë agjentë amerikanë, gjermanë, francezë dhe ata të Britanisë së Madhe.
Kur kryeministri Rama e prezantoi në nëntor të vitit 2017, fjalët e tij u dukën si një dorashkë sfiduese për opozitën, në kohën kur akuzat për lidhjet e krimit me politikën ishin në kulm.
“Aty do të jemi për të parë se kush e lufton dhe kush e mbron krimin”, deklaroi Edi Rama.
Operacioni Forca e Ligjit qe e lidhur ngushtë me emrin e ish ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj.
Me ambasadorët, Xhafaj kishte bashkëpunuar ngushtë për reformën në drejtësi.
U godit grupi i Bajrave, pastaj grupi kriminal i Shijakut, … ndërsa dy ish deputetë socialiste përfunduan në qeli.
Në deklaratat e Fatmir Xhafajt ishte e lehtë të kuptoje se goditja e bandave do të vinte pa bërë dallime për përkrahjen politike të njërës apo tjetrës palë.
Në nëntor, Fatmir Xhafaj deklaroi ‘Krimi nuk ka ngjyrë. As kombësi. Krimi i organizuar nuk lindi sot. As dje. Ai ka qënë këtu prezent, përball nesh dhe jo rrallë dhe midis nesh. Është rritur e forcuar nga paaftësia apo edhe nga mbështetja e strukturave tona në vite të tëra’.
Task Forca skedoi 41 grupe kriminale. Për goditjen e tyre u investuan thuajse të gjitha organizmat ndërkombëtare si me fonde ashtu dhe me oficerë e specialistë të huaj të mbërritur edhe nga FBI amerikane.
Deri kur, për arsye që mbeten ende të pasqaruara, Fatmir Xhafaj u zëvendësua nga ministri aktual SanderLleshaj.
Që kur Lleshaj u ul në postin e ministrit, forca e ligjit u kthye në tabu. Prej 3 muajsh policia është investuar në projektin e postimit të gjobave në shtëpi, porositë për etiken e policëve në publik, apo çështje të tjera që ruajnë profilin e ulët të një ministri të heshtur dhe të urte.
Deri kur, në një intervistë për A2 News, ambasadori i Bashkimit Evropian Luigi Soreca riktheu në vëmendje operacionin e reklamuar me bujë, por tashmë të harruar nga qeveria.
Duke llogaritur se forca e ligjit asgjësoi 13 grupe kriminale dhe se Fatmir Xhafaj pranoi ekzistencën e 40 grupeve të tilla, rezulton se 27 grupe të tjera kriminale janë në qarkullim në dijeni të policisë.
Sfida që kryeministri Rama i hodhi opinionit publik në ‘nëntor të 2017’ mbetet e hapur, ndërsa agjentet e huaj që mbërritën në Tiranë, janë shndërruar në turistë…

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN