Sondazh: Destinacionet e fundjavave tuaja janë:
  • Bregdeti 67%
  • Zonat malore 33%
  • Qendrat historike 0%

CNN në Siri, brenda zonës së sigurt të krijuar nga Turqia

Nga A2 CNN
12 Nëntor 2019, 17:17 | Bota
CNN në Siri, brenda zonës së sigurt të krijuar nga Turqia

Krismat e armëve mund të kenë pushuar, por beteja për këtë pjesë të Sirisë është larg fundit. Një qetësi e gënjeshtërt mbizotëron këtu, por çdo hap mund të jetë vdekjeprurës. Disa ditë më parë një ushtar turk u vra gjatë një shpërthimi. CNN i bashkohet ushtrisë turke në misionin për pastrimin nga minat të qytezës së Tal Abyad.

“Kjo zonë u pastrua më parë nga forcat turke, por ata zbuluan se këtu ka ende celula aktive. Ato rikthen dhe vendosin eksplozivë, e prandaj nevojiten inspektime të vazhdueshme. Duket se forcat turke kanë gjetur një lëndë shpërthyese”, deklaroi Jomana Karadsheh.

Ekipi izolon zonën para se të realizojë shpërthimin e kontrolluar të bombës. Ushtarët thonë se zbulojnë nga 10 deri në 100 pajisje shpërthyese çdo ditë, sipas tyre, të lëna pas nga një armik i vendosur të shkatërrojë premtimin e Turqisë për krijimin e një zone të sigurt…Shkojmë drejt qytetit pak orë pasi një autobombë ka shpërthyer në një treg, e ku njerëzit ende nuk e kanë marrë veten nga një sulm i tmerrshëm me bombë tre ditë më herët… 

“Njerëzit po na thonë ne se i njihnin viktimat. Ata ishin një farmacist i zonës, një tregtar me fëmijët e tij, e gjithashtu një grua e cila kishte dalë për të bërë blerje me fëmijët e saj. Qytetarët janë të shqetësuar se ky mund të jetë vetëm fillimi”, vijon Jomana Karadsheh, korrespondente e CNN.

Jemi të frikësuar me gjithçka po ndodh, thotë një burrë, i cili tregon se një minë jashtë banesës kishte vrarë djalin e tij. Ai është i frikësuar dhe nuk fle dot natën. Kjo grua thotë se fqinjët e saj ishin kthyer nga Turqia me idenë se do të ishin të sigurt, por dy nëna bashkë me fëmijët kishin gjetur vdekjen. “A është kjo siguria që Turqia ka premtuar?”, pyet ajo.

Gjenerali Hasan Al Hussein mendon se pas sulmeve qëndrojnë forcat kurde, SDF, të cilat sipas tij po përpiqen t’iu tregojnë njerëzve se zona nuk është e sigurt. Pretendimet nuk janë të verifikueshme dhe SDF i cilëson si të pabaza. Përgjatë 9 viteve të fundit të luftës, ky qytet i vogël kufitar ka parë gjithçka, tani është radha e Turqisë të përpiqet të kthejë stabilitetin. E sigurt është se nuk do të jetë e lehtë, veçanërisht për qytetarët që edhe një herë duhet të mbledhin copëzat e jetëve të tyre të thyera.  

A2 CNN Livestream

Debat - nga Alba Alishani