COVID-19 dhe vaksinat, bota ka kurën por është ende larg shërimit

Vaksina e Pfizer dhe bioNtech tanimë është shpërndarë në shume shtete, që kanë nisur procesin e vaksinimit të popullatës së tyre. Në këtë kuadër, Amerika nuk arriti dot të përmbushte premtimin e vaksinimit të 20 milionë personave, sikurse paralajmëroi presidenti Donald Trump, duke u ndalur vetëm në 2.7 milionë.
Për të kaluar në Evropë, ku Italia regjistron gati 46 mijë të vaksinuar, ndërsa në Britani situata paraqitet më e mirë, teksa shumë qytetarë po i drejtohen spitaleve për dozën e tyre të dytë të vaksinës. Rreth 1 milion persona janë vaksinuar deri më sot. Në një vendim të fundit, qeveria e Boris Johnson njoftoi se miratuan planin e vaksinimit me vaksina mikse, nëse nuk ekziston kura e njëjtë për vaksinën e dytë apo në rast se nuk dihet nga pacienti cila ka qene vaksina e parë.
Në Gjermani, gjithashtu procesi po vijon normalisht, por në një postim në rrjetet sociale një ish-anëtar i kabinetit qeverisës për shëndetësinë akuzoi autoritetet se po hedhin në short cilët do të vaksinohen në azile. Dozat janë të pakta, shkruan ai, dhe tani hidhet shorti për kë do të marrë ato pak që janë në dispozicion. Denoncimit të tij i janë bashkuar edhe përdorues të tjerë të rrjetit.
Në Francë, situata duket shqetësuese. Nëse në mbarë globin janë vaksinuar deri më sot mbi 9.8 milionë persona në total, francezët nuk e “duan” vaksinën, pasi vetëm 332 qytetarë e kanë marrë atë.
Përballë kësaj situate, virusi vazhdon përhapjen e tij, ku vetëm varianti i ri i tij, me një transmetueshmëri më të lartë sipas një artikulli në median amerikane, është i pranishëm tanimë në 33 shtete.
Bota ka miratuar edhe dy vaksina të tjera përveç Pfizer, që janë ato të Moderna dhe Astra Zeneca. Këtë të fundit e miratoi së fundmi për përdorim emergjent edhe India. Por a mjafton?
Kompania partnere e Pfizer, bioNtech, bëri thirrje për miratimin edhe të vaksinave të tjera për të mbuluar kërkesën e lartë. Në njëjtin moment, Astra Zeneca njoftoi se 2 milionë dozat e saj të para që do prodhohen deri në mes të muajit janë të destinuara për Britaninë e Madhe, që ka porositur 100 milionë të tilla. Aq më tepër që miratimi nga OBSH i vaksinës së Pfizer do të shtojë edhe më shumë kërkesën nga vendet që nuk e kanë një autoritet vlerësues dhe tanimë mund të nisin vaksinimin.