COVID-19, përmirësim në Europë, rekord i ri botëror në Indi

Vaksina kundër koronavirusit do të kushtojë më pak se 10 euro. Është kjo deklarata e fundit e bërë nga ministri i Shëndetësisë në Francë, Olivier Bogillot. Gjatë deklaratës për mediat u njoftua gjithashtu se vendi numëron 8550 raste të reja të të infektuarve edhe 12 viktima në 24 orët e fundit.
Më pak raste njoftoi Spanja e cila tanimë ka zyrtarisht më shumë se gjysmë milioni të prekur me COVID-19 që prej fillimit të epidemisë. Më mirë paraqitet situata edhe në Britaninë e Madhe. Autoritetet bëjnë thirrje për kujdes të shtuar nga qytetarët. Vendi njoftoi, në rënie, mbi 1800 raste të reja.
Në Kroaci ndërkohë, mijëra mosbesues të pandemisë u mblodhën në sheshin kryesor të Zagrebit në protesta kundër masave të ndërmarra për parandalimin e përhapjes së Covid-19. Me pankarta në duar ku shkruhej “gjithçka është një gënjeshtër, hiqni maskën, fikni televizorin dhe jetoni jetën si doni”, kroatët sfiduan autoritetet.
Në Italinë fqinje, ministri i shëndetësisë Roberto Speranza njoftoi se ka mundësi që dozat e para të vaksinës do të dorëzohen para vitit që vjen dhe të parët që do e marrin atë janë personeli mjekësor dhe të moshuarit që vuajnë nga sëmundje të tjera. Speranza nuk la pa komentuar edhe protestat në Romë kundër masave të ndërmarra nga autoritetet, duke i cilësuar si të pakuptimta duke pasur parasysh që vendi numëron mbi 35 mijë viktima nga koronavirusi.
India regjistroi një rekord të ri botëror teksa raportoi mbi 90 mije raste të reja në 24 orët e fundit dhe mbi 1 mijë viktima.
Australia vendosi zgjatjen e periudhës së izolimit në shtetin e Viktorias pas rasteve të reja me koronavirus, deri me 28 shtator, ndërsa ne SHBA ekspertët presin një kulm të ri të pandemisë pas zgjedhjeve të 3 nëntorit.