Daci: Duhet një mekanizëm për zëvendësimin e gjyqtarëve të shkarkuar, rrezikojmë kolapsin

Juristi Jordan Daci ishte i ftuar në studiot e A2 për të komentuar ngjarjet e fundit rreth reformës në drejtësi.
Daci vëren një moment ku ´patëm një progres fillestar dhe tashmë një ngecje, sepse politika nuk duket sikur ka vullnetin që të plotësojë vendet vakante” në organet e drejtësisë, duke filluar nga Gjykata Kushtetuese , që na bën “vendin e vetëm në Këshillin e Evropës pa Kushtetuese”.
Sipas juristit, problemi më i madh është sistemi i zëvendësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve që shkarkohen nga mekanizmat e vetingut, “sepse gropa e madhe që po krijohet rrezikon një kolaps gati të pakthyeshëm, sepse mekanizmi aktual nuk mundëson zëvendësimin në kohë reale”.
Zgjidhja për Dacin është ulja e politikës në një tryezë për ndryshimet ligjore përkatëse dhe “marrja e personelit tëri nga profesionet e lira, bota akademike dhe universitetet jashtë shtetit, nuk besoj se do të ishin më pak të përgatitur se ata që dalin nga Shkolla e Magjistraturës”.
Një tjetër problem për Dacin, është fakti që deri më tani elementi i pasurisë ka qenë dominant në kriteret e marrë parasysh nga Vettingu, duke lënë mënjanë pjesën e profesionalizmit. “Shumë nga ata që kanë kaluar mund të ngelnin duke shtuar atë kriter, thotë Daci.
Daci komenton edhe ngjarjen e fundit ku Bujar Sheshi u akuzua nga opozita për një të kaluar si bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit. Daci thotë që, edhe pse “çdo person ka drejte të prezumohet si i pafajshëm”, ngjarja “është e rëndë” dhe nuk duhet të kishte ndodhur fare, sepse ka filtra por “ngutja për të bërë emërimet ka sjellë një situatë të tillë”.

Shkarkoni aplikacionin e A2