Sondazh: Destinacionet e fundjavave tuaja janë:
  • Bregdeti 60%
  • Zonat malore 20%
  • Qendrat historike 20%

Dashamir Shehi: Të kufizohet mandati i Kryeministrit, duhet Kod i ri Zgjedhor

Nga A2 CNN
27 Maj 2019, 09:25 | Politikë
Dashamir Shehi: Të kufizohet mandati i Kryeministrit, duhet Kod i ri

Kreu i LZHK, Dashamir Shehi, i ftuar në emisionin “Dita Jonë” në A2 CNN, foli për krizën politike në vend, protestat, dialogun e mundshëm mes palave dhe hapat që opozita do të marrë në vijim.

“Do të bëjmë ç’është e mundur që të pengojmë mbajtjen e zgjedhjeve. Me logjikën time them që nuk do të mbahen zgjedhje, por këtu ka dalë logjika jashtë situate. Nëse do të mbahen zgjedhjet, kryeministri Rama do të bëjë një gabim fatal”, u shpreh Dashamir Shehu.

Sipas kreut të LZHK, që të nisë dialogu, duhet që kryeministri Edi Rama të largohet.

“Duhet të krijohet ambienti i nevojshëm për dialog. Ne kemi vendosur një kusht që është largimi i Ramës, pasi po të mos ishte ai, nuk do të kishin vlerë të gjitha këto që po bëjmë. Të gjitha gjërat e tjera janë plotësisht të arritshme. Ne njëherë e tentuam këtë punë për të bërë një gjysmë qeverie me Ramën, por tashmë zullumi është trashur”, tha Shehu.

Aleati i Bashës, gjatë intervistës në “Dita Jonë”, foli dhe për disa ndryshime ligjore dhe kushtetuese të cilat sipas tij janë të nevojshme për shkak të situatës aktuale.

“Ne jemi dakord që të ndërtohet një shtrat ligjor me një Kushtetutë të re, ose pjesërisht të re, e cila të paktën të kufizojë mandatet e kryeministrave. Unë jam për dy mandate, më shumë nuk ka çfarë i duhet këtij vendi. Duam një Kod të ri Zgjedhor, atë që përmendi haptazi dhe Basha në Durrës, që të përfshijmë qytetarët, jo thjesht të zgjedhim flamurin e partive, por kush do na përfaqësojë në komunitetin tonë.” shtoi kreu i LZHK.

Në fund të intervistës së tij, Dashamir Shehu u shpreh se zgjidhja e ngërçit duhet të kalojë nga qeveria teknike dhe zgjedhjet të reja.

“Nuk jam dakord që zgjedhjet të organizohen për 2-3 muaj. Do të doja që zgjedhjet e para të bëhen në fund të vitit dhe zgjedhjeve politike t’iu jepej dhe pak kohë për t’i bërë këto reforma, pikërisht që të mos iu lëmë shqiptarëve atë shijen e hidhur që iku një palë dhe erdhi një tjetër”, u shpreh Dashamir Shehi në “Dita Jonë”.

A2 CNN Livestream

Debat - nga Alba Alishani