Debati për Kopshtin Botanik, Koni për anulimin e vendimit, Veliaj akuza për vjedhje

Rektori i Universitetit të Tiranës Mynyr Koni përplaset me kryebashkiakun Erion Veliaj për Kopshtin Botanik. Rreth 15 hektarët që qeveria vendosi t’ia kalojë bashkisë, për kreun e universitetit përbën shkelje e hapur e autonomisë dhe ligjit te arsimit të lartë. Në deklaratat e vazhdueshme Mynyr Koni thotë se nuk do të ndalet për të drejtën e universitetit.
“Dëshiroj të theksoj me forcë se marrja e këtij vendimi është në shkelje të hapur të autonomisë së Universitetit të Tiranës dhe në kundërshtim të plotë me ligjin e arsimit të lartë”, thuhet në deklaratën e tij për shtyp.
Erion Veliaj ka treguar arsyet e pronësisë së re të Kopshtit Botanik. Ai ka akuzuar rektorin për përfshirje në skema korruptive deri dhe në vjedhjen e parave për hyrjen në këtë hapësirë.
“Sot duhet te paguash 5 mijë lekë sa herë që hyhet në kopsht. Që Mynyri të marrë lekët e nuseve , këtu ka mbetur akademia shqiptare? Do të bëjmë një super kopsht botanik, ai nuk është monopol i Mynyrit”, akuzoi sot kryebashkiaku i Tiranës.
Përplasjet për pronësinë e Kopshtit Botanik kanë përfshirë edhe opozitën. Deputeti Luçiano Boçi akuzoi Edi Ramën dhe Erion Veliajn se po planifikojnë ndërtimet e radhës në hapësirën e Kopshtit Botanik.
“Veliaj grabit 15 hektarë të kopshtit botanik, me synimin për të pastruar fushën e ndërtimit me miliona euro, para të pista”, deklaroi ish-deputeti i PD-së.
Në 17 korrik të 2019, Këshilli i Ministrave i kaloi Kopshtin Botanik në pronësi të bashkisë së Tiranës. Tashmë konflikti mes universitetit dhe bashkisë ka kaluar në shkallët e drejtësisë, ndërsa seanca e parë e gjyqit është shtyrë.

Shkarkoni aplikacionin e A2