Dëbimi i diplomatëve, NATO: Reagim ndaj aktiviteteve malinje, Rusia: Rrezikon shpresat për dialog

Dëbimi I 8 anëtarëve të misionit të Rusisë në NATO nuk lidhet me një rast specifik, por aleanca duhet të veprojë përballë aktiviteteve malinje të Moskës.
Kështu e justifikoi vendimin sekretari i përgjithshëm I NATO-s, Jens Stoltenberg, i cili bëri me dije se personat e dëbuar ishin agjentë të padeklaruar të inteligjencës.
“Vendimi për t’iu hequr akreditimin 8 anëtarëve të delegacionit të Rusisë në NATO ishte i bazuar në inteligjencë dhe u bë pasi ata persona ishin agjentë të padeklaruar të inteligjencës ruse. Ne kemi parë një rritje të aktiviteteve malinje të Rusisë, jo më larg se në Europë, prandaj duhej të vepronim”, deklaroi ai.
Vendimi i NATO-s për të reduktuar misionin diplomatik të Rusisë u kritikua nga Kremlini.
“Ka një mospërputhje të dukshme në deklaratat e lëshuara nga përfaqësuesit e NATO-s lidhur me dëshirën e tyre për të normalizuar marrëdhëniet me vendin tonë dhe veprimeve të tyre konkrete. Këto veprime nuk na lejojnë të krijojmë iluzione lidhur me normalizimin dhe rinovimin e raporteve, për më tepër, këto perspektiva i prishin komplet ato ”, deklaroi Dymitry Peskov, zëdhënësi i Kremlinit.
Ndërkohë, Sky News raportoi se misioni i Moskës në Selinë qendrore të Aleancës së Atlantikut të Veriut në Bruksel u përgjysmua sikundër përgjigje ndaj aktiviteteve dashakeqe të Rusisë, përfshirë vrasje dhe spiunazh. Kjo ka bërë që marrëdhëniet mes Perëndimit dhe Lindjes të bien në nivelin më të ulët që prej periudhës së post Luftës së Ftohtë.