Deklarata e DASH, Kosova dhe Serbia të vazhdojnë me moratoriumin mbi njohjet

Departamenti amerikan i Shtetit inkurajoi Kosovën dhe Serbinë që të vazhdojnë me moratoriumin mbi çështjet e njohjes që ndërlikojnë përparimin në fushat teknike.
Këtë e tha një zëdhënës i Departamentit të Shtetit për Zërin e Amerikës teksa iu përgjigj një pyetje lidhur me përvjetorin e parë të marrëveshjes së Uashingtonit, e nënshkruar në prani të ish-presidentit Donald Trump.
“Shpresojmë që partnerët tanë të respektojnë detyrimet që ata pranuan vitin e kaluar në Uashington, në mirëbesim. Elemente të shumta të marrëveshjes mbështesin prioritetet e vizionit tonë më të gjerë të rajonit – diversifikimin e energjisë, lidhjen rajonale, aplikimin e një moratoriumi për anëtarësimin në organizatat ndërkombëtare dhe fushatën për tërheqjen e njohjes së pavarësisë së Kosovës, si dhe gjetjen dhe identifikimin e personave të zhdukur”, ishte deklarata e tij.
Departamenti amerikan i shtetit inkurajon palët të vijojnë dialogun e ndërmjetësuar nga BE, ndërsa thekson se Shtetet e Bashkuara mbështesin një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe detyruese për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.
“Ne mbështesim dialogun e ndërmjetësuar nga BE dhe inkurajojmë palët që të përfshihen sërish në proces, duke pasur parasysh urgjencën e zgjidhjes së çështjeve teknike dhe politike.
Qasja e ish-administratës amerikane, sipas zyrtarëve të saj në atë kohë, për zgjidhjen e mosmarrëveshjes Kosovë-Serbi ishte fokusuar ekskluzivisht në bashkëpunimin ekonomik midis dy palëve, i cili, siç pritej, duhet të kontribuojë në afrimin politik dhe përfundimisht një marrëveshje gjithëpërfshirëse mbi normalizimin.