Deklarata e Zagrebit, Rajoni e ka vendin në BE, por nuk përmenden afate

Bashkimi Evropian do të ritheksojë përkushtimin për perspektivën evropiane të vendeve të rajonit të Ballkanit Perëndimor, në të ashtuquajturën “Deklarata e Zagrebit”, që do të publikohet pas video-konferencës mes krerëve të Unionit dhe atyre të Ballkanit Perëndimor në 6 maj.
Megjithatë, në dokumentin e cituar nga Europa e Lirë nuk përmendet as anëtarësime e as ndonjë afat kohor. “Sot, BE rikonfirmon edhe një herë mbështetjen pa rezerva për perspektivën europiane të Ballkanit Perëndimor, partnerët nga Ballkani Perëndimor konfirmojnë përkushtimin ndaj perspektivës Evropiane si një zgjidhje e vendosur strategjike”, është një nga citimet e atij dokumenti.
Samiti do të zhvillohej në kryeqytetin e Kroacisë për t’i dhënë një shtysë të re procesit të zgjerimit. Por, rrethanat e krijuara për shkak të pandemisë bënë që takimi të zhvillohet përmes një video-konference, edhe pse deklarata e përbashkët do të quhet “Deklarata e Zagrebit”.
Megjithatë shumë shtete anëtare të Bashkimit Europian kanë dashur që ky takim të mos jetë rreth zgjerimit, por më shumë rreth forcimit të lidhjeve mes rajonit dhe BE-së.
Sipas burimeve diplomatike të cituara nga Europa e Lirë, kjo është bërë me kërkesë të shteteve skeptike të zgjerimit, si Holanda, Franca e Gjermania. Arsyeja tjetër lidhet me dallimet rreth statusit të Kosovës dhe pjesëmarrjes së saj në takim, ndërsa thuhet se Spanja dhe disa shtete që nuk e kanë njohur pavarësinë nuk do të merrnin pjesë në takim nëse Kosova do të trasohej si shtet.
Në pjesën më të madhe të dokumentit përmendet ndihma që BE ka dhënë dhe planifikon të japë për vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor. Sidomos përmendet plani i Komisionit Evropian për të mobilizuar mbi 3.3 milionë euro ndihmë për përballimin e pasojave të pandemisë. Në dokument thuhet se fakti që “BE-ja ka dhënë më shumë ndihma se cilido partner tjetër duhet publikisht të vlerësohet”.

  • LAJMI I FUNDIT | Koronavirusi në Shqipëri, 5 viktima në 24 orët e fundit
  • LAJMI I FUNDIT | Koronavirusi në Shqipëri, 125 raste në 24 orët e fundit
  • LAJMI I FUNDIT | Koronavirusi në Shqipëri, 43 të shëruar në 24 orët e fundit
  • LAJMI I FUNDIT | MSH: 175 persona në spital, 15 në terapi intensive, 5 në intubim