Sondazh: Si ka ndryshuar figura e babait në familje ndër vite?
  • Më i pranishëm me fëmijët 31%
  • Më i zënë në punë 38%
  • Ndihmon në shtëpi 31%

DËSHMI | Hungaria, nga komunizmi në demokraci

Nga A2 CNN
14 Dhjetor 2019, 13:01 | Dëshmi

Budapesti është padyshim një nga atraksionet më të mëdha turistike dhe një nga qytetet më të bukura në Europë, që çdo vit tërheq rreth 20 milionë turistë të huaj. Sot, ai shërben si qendra kryesore politike, kulturore, tregtare, industrial dhe e transportit. Pjesa e përcaktuar nga UNESCO si Trashëgimi Botërore përfshin brigjet e Danubit, Lagjen Kalaja e Budës, Bulevardin Andrássy, Sheshin e Heronjve dhe hekurudhën nëntokësore Millenium, e dyta më e vjetër në botë. Edhe historia e Hungarisë, njësoj si bukuria natyrore, është shumë e pasur. Budapesti ishte pika qendrore e Revolucionit hungarez të 1848 deri në atë të 56-ës deri në tetor të 1989-ës, kur vendi u shpall Republikë.

Deri në tetorin e vitit 1956, hungarezët, ishin ndeshur me diktaturën më të egër të botës. Pas Luftës së Dytë Botërore, ashtu si pothuaj në të gjitha vendet e Europës Qendrore e Lindore, stalinizmi u imponua edhe në Hungari me forcën e armëve dhe kurrë nuk pati bazë të qëndrueshme në vend. Matias Rakoshi, udhëheqësi i Hungarisë në vitet 1948-1956, përdori të gjitha pasuritë e vendit për t’u përgatitur për atë që Stalini e quante “lufta e tretë e pashmangshme botërore”.

Jetesa në vend ishte në nivelet mininale historike. Nuk kishte ushqim e para, në vend po implementohej mekanizmi i ekonomisë së re. Partia Popullore Socialiste po vendoste rregulla të reja ekonomike dhe prezantoi decentralizimin dhe çmime fikse, ajo vetë-menaxhonte tokat bujqësore, mori monopolin e industrive kyçe në vend, reduktoi masën e subvencioneve, përveç prodhimeve që përdoreshin për eksport, ligjëroi veprimtarinë artizanale në funksion të shtetit, lejoi shitjen me pakicë dhe shërbimin privat, për aq paksa mund të kishte. Por përpos këtyre incentivave, Hungaria nisi të vuajë nga inflacioni, deri në vitet ’80, duke dëmtuar ndjeshëm për dekada të ardhurat familjare, ndërsa vendi zhytej gjithnjë e më shumë në varfëri, teksa borxhi i huaj sa vinte e rritej.

Diktatura e Rakoshit, që mbahej në këmbë nga policia, ushtria dhe sigurimi i shtetit, i ndalonte njerëzit të shprehnin hapur pakënaqësitë. Nxitur nga një fjalim i Nikita Khrushchev, teksa kritikonte regjimin e Stalinit, të inkurajuar nga liria për debat apo kritika, hungarezët u ngritën në protesta, që kulmuan menjëherë një mbrëmje tetori, në 1956. Ajo natë, ndryshoi çdo gjë. Diktatura u shemb duke ia lënë vendin anarkisë. Një ide fillestare për një revolucion ishte gatuar që në 1953, fill pas vdekjes së Stalinit.

Nisja e protestava ne tetor 1956

Gjithçka zgjati më pak se 3 javë, nga 23 tetori deri më 10 nëntor. Por revolucioni hungarez, që pushtoi Budapestin dhe pjesën tjetër të Hungarisë, u pasua me disa valë protestash në Europën Lindore dhe atë qendrore, për dekadat që do të pasonin. Vjeshtën e atij viti, mijëra hungarezë, në kryeqytet dhe qytetet e tjera, u ngritën kundër forcave pushtuese sovjetike dhe kundër diktaturës brutale të shërbimit sekret. Ishin 3 javë të vështira, ku 3 mijë vetë, burra gra e fëmijë, u vranë. Rebelët fituan fazën e parë të revolucionit dhe Imre Nagy u shpall kryeministër, me premtimin se do të vendoste në vend një sistem multi-partiak. Më 1 nëntor, pak ditë më vonë, ai shpalli neutralitetin e Hungarisë dhe apeloi Kombet e Bashkuara për mbështetje por fuqitë perëndimore nguruan, e me frikën se rrezikonin një përballje globale. Më 4 nëntor, Bashkimi Sovjetik pushtoi Hungarinë dhe shtypi protestat. Por ky revolucion ishte qartazi një provë: se populli kërkonte demokraci. Imre Nagy ishte politikani komunist, i cili në vitet 1953-1955 kishte shërbyer si kryeministër por në 1956, ai u shndërrua në liderin e revolucionit hungarez kundër qeverisë së mbështetur nga sovjetikët, për të cilën edhe u ekzekutua 2 vite më pas. Pozicionin e liderit, ai e pagoi me jetën e tij. Më 4 nëntor, tanket sovjetike hynë në qendër të Budapestit dhe shtypën njëherë e mirë protestën kombëtare. Rrugëve e ndërtesa iu vu flaka dhe sovjetikët u krenuan shpejt me fitoren. Pak para se të arrestohej, Imre Gany njoftoi në televizionin publik, në vetëm 35 sekonda se hungarezët po luftojnë dhe qeveria është në detyrë. Pak orë pas kësaj deklarate, Gany kërkoi azil në ambasadën jugosllave në Budapest. Pas tij, pushtetin e mori menjëherë ish-kolegu i tij, Janos Kadar.

Aksioni sovjetik habiti shumë njerëz në perëndim. Lideri Nikita Khrushchev ishte zotuar se do të tërhiqej nga politikat staliniste dhe represioni i së shkuarës por aksioni i dhunshëm në Budapest, po tregonte krejt të kundërtën. Ndërsa 3 mijë vetë u vranë, 200 mijë të tjerë ishin larguar nga vendi, si refugjatë, kryesisht drejt Austrisë. Rezistenca e armatosur krejt sporadike, protestat dhe arrestimet masive vazhduan për muaj të tërë, duke shkaktuar veçse dëme ekonomike.

Mosreagimi i SHBA-ve acaroi edhe më shumë popullin hungarez. Zëri i Amerikës kishte transmetuar një deklaratë të Presidentit të asaj kohe Eisenhower, teksa shprehte mbështetjen për lirimin e të burgosurve, në shtetet komuniste. Por edhe pas saj, tanket kishin rrethuar Budapestin dhe SHBA nuk bënë asgjë.

Edhe për vitet që do të vijonin, Rusia do të qëndronte pas “perdes së hekurt”, asnjë shtet tjetër nuk u përpoq të ngrihej kundër trupave sovjetike, derisa Çekosllovakia u ngrit në protestë, në 1968. Deri në vitin 1986, sipas sondazheve, 61% e popullsisë hungareze e përshkruanin jetesën e tyre në kufijtë e mbijetesës. Për shumë vite, situate e tyre vetëm do të përkeqësohej, ndërsa përgjatë 3 dekadave në vijim, austriakët do të jetonin me standarde të tjera, vetëm 13% e hungarezëve thoshin se jetonin normalisht. Shumë pak prej tyre arritën të shkolloheshin, ata që në fund të viteve ’80, formuan grupimin e quajtur “Opozita Demokratike”. Edhe pse vuajtën shtypjen dhe presionin e regjimit të kohës, më vonë luajtën një rol të rëndësishëm.

Vitet 80 sollën një valë të re pakënaqësie dhe kërkesë për reforma, kryesisht nga elita e vendit. Reformatorët radikalë dhe shumë të tjerë, kërkuan një sistem të ri, multi-partiakë, i cili ishte i pamundur të adoptohej nën regjimin sovjetik. Ata nuk donin një sistem sovjetik, por kërkonin të drejta për vetë-qeverisje. Edhe këtë herë shumë pak u arrit. Reformat e mëdha u ndërmorën pas zëvendësimit të Janos Kadar si sekretar i përgjithshëm i Partisë Socialiste në 1988. Po atë vit, parlamenti adoptoi “Paketën e demokracisë” e cila përfshinte pluralizmin e unionit të tregtisë, lirinë e shoqatave, asamblesë dhe shtypit, një ligj të ri elektoral dhe rishikim të kushtetutës, mes të tjerash.

Në pranverën e vitit 1988, Partia Komuniste që drejtonte Hungarinë, mbajti konferencën e parë speciale që prej vitit 1967, me Janos Kadar si kryetar. Kadar kish drejtuar Hungarinë që pas protestave të dështuara anti-komuniste në vitin 1956, gjatë të cilave trupat sovjetikë dhe tanket hynë në Budapest, ku bashkë me ushtrinë hungareze, shtypën revoltën brenda pak orëve. Më shumë se 150 mijë refugjatë u larguan me dhunë nga Budapesti, ndërsa mijëra të tjerë humbën jetën. Pavarësisht programit të reformave ekonomike të limituara në vitet ’70 dhe vendosjes së marrëdhënieve me Perëndimin, deri në vitet ’80, Kadar u pa si një pengesë për të liberalizimin politik për të ardhmen. Populli nisi të fajësojë drejtpërdrejtë Partinë Komuniste për problemet e thella ekonomike që po kalonte vendi. Kadar u rrëzua nga pushteti më 22 maj 1988 dhe u zëvendësua nga Karoly Grosz.

Janos Kadar në konferencën e 1988

Hungaria nisi të çmontojë seksionin e saj të “perdes së hekurit”, që kish ndarë Europën për 4 dekada në maj të vitit 1989, duke hequr gardhin me gjemba, të vendosur në kufi me Austrinë. Ky gardh, pengesë 20-vjeçare mes dy vendeve, kish zëvendësuar një fushë të minuar, që pas vendosjes së regjimit komunist në Hungari në fund të vitit 1940”

Kadar ndërroi jetë, një vit pas rrëzimit nga pushteti, më 6 korrik 1989, teksa Gjykata Supreme e Budapestit përfundoi rehabilitimin e Imre Nagy, lider i protestave popullore të vitit 1956, i cili u ekzekutua me urdhër të kryeministrit të asaj kohe, Kadar, 2 vite më pas, në 1958. Pas rrëzimit të Kadar nga pushteti, lidershipi i ri Grosz deklaroi se gjyqi ndaj Imre Nagy dhe ekzekutimi i tij nën akuzën e tradhtisë ndaj shtetit në 1956-ën, ishin ilegalë. Trupi i tij u zhvarros dhe u nderua me një funeral shtetëror, në Budapest. Ndërkohë, funerali shtetëror i Kadar, shënoi edhe fundin e komunizmit tradicional në Hungari dhe nisi një periudhë të re, politike dhe ekonomike.

Më 11 shtator, Hungaria formalisht hapi kufirin e saj me Austrinë dhe historianët vlerësojnë se më shumë se 60 mijë gjermano-lindorë ishin larguar përmes Hungarisë deri në nëntor, kur muri i Berlinit u rrëzua më 9 nëntor1989. Në mënyrë që të lejonin gjermanët e lindjes që të largohen, Budapesti vendosi të pezullojë paktin e tij 20-vjeçar me Berlinin Lindor, sipas të cilit, 2 vendet dakordësoheshin që të mos lejonin asnjë qytetar të njëri-tjetrit, që të largohen drejt një shteti të tretë, edhe në qoftë se janë pajisur me viza.

Partia Komuniste Hungareze u mblodh në një kongres, për të diskutuar për të ardhmen e saj. Disa e quajtën mbajtjen e këtij kongresi si ç’rrënjosje të komunizmit dhe krijimin e një shteti multi-partiak, ndërsa të tjerë mbrojtën idealet komuniste, në një betejë që kish nisur tashmë mes lidershipit reformist hungarez dhe atyre që ende i qëndronin besnikë linjës së hekurt konservatore.

Më 23 tetor 1989, kreu i shtetit në detyrë Matyas Szuros, shpalli vendin “Republikë”, duke i dhënë fund kështu regjimit komunist në vend, pas 43 vitesh. Ai doli përpara mijëra njerëzve që ishin mbledhur përpara parlamentit në Budapest dhe deklaroi: “Ky është preludi i një ere të re historike”.

Matyas Szuros shpalli vendin republikë (23 tetor, 1989)

5 ditë më pas, parlamenti hungarez amendoi kushtetutën e vitit 1949, duke hequr prej saj çdo element stalinist, për të shndërruar Hungarinë në një republikë, të përkushtuar për demokraci.

Hungaria mbajti raundin e parë të zgjedhjeve të lira që prej vitit 1947, më 25 mars të vitit 1990. Zgjedhjet u fituan nga Forumi Demokratik i Qendrës së Djathtë, me Jozsef Antall që u zgjodh kryeministri post-komunist i vendit.

Mes 12 marsit dhe 19 korrikut të vitit 1991, trupat sovjetike u larguan përfundimisht nga Hungaria. Numri total i ushtrisë sovjetike dhe personelit civil, të stacionuar në Hungari përgjatë 4 dekadave, ishte mbi 100 mijë. Mbi 35 mijë makina ushtarake parakaluan edhe një herë të fundit në sheshin qendror.       

A2 CNN Livestream

Dita jonë