Sondazh: Destinacionet e fundjavave tuaja janë:
  • Bregdeti 50%
  • Zonat malore 50%
  • Qendrat historike 0%

Dëshmi të gjalla, kujtimet e një jete në një ekspozitë si e Lekë Tasit

Nga A2 CNN
18 Prill 2019, 17:47 | Aktualitet

Edhe pse ka pasur një jetë të vështirë në kampet e internimit të diktaturës shqiptare, edhe pse me 90 vite mbi shpinë, ai, Lekë Tasi vijon të vizatojë.

Skicat e tij, kryesisht me laps, akuarel apo pastel janë ekspozuar mbrëmjen e së mërkurës në Galerinë e Universitetit të Arteve. Asgjë se ndalon atë të vijojë atë që nisi në kampet famëkeqe, vizatimin.

Kuratori, Zef Paci

“Është një dialog me veten, një dialog intim. Dëshmitë në Shqipëri, për arsye historike dhe kulturore, janë mbuluar. Kjo nuk do të thotë që nuk kanë ndodhur gjëra. Për fat kemi njerëz që vizatojnë, kemi shkrimtarë. Tani ne duhet t’i japim njerëzve që kanë sensibilitet dhe talent, që të kenë vetëveprim”, tha Tasi.

Studioi për violonçel, e ndonëse punoi në teatrin e Operas dhe Baletit, Lekë Tasi u njoh më së shumti për pikturën, për vizatimet që nisi të realizonte gjatë vuajtjes së dënimit.

Fillimisht, kopjonte imazhe, por më vonë krijoi. Realizoi vepra që sot me nënshkrimin Lekë Tasi ruhen në fondin e Galerisë Kombëtare.

Një nga veprat e Tasit

Studentë e dashamirës të artit vizual vizituan ekspozitën e kuruar nga Zef Paci, që risjell në galerinë FAB jo vetëm vepra të këtij dhjetëvjeçari, por edhe skica që nga adoleshenca e artistit, vizatime që i kanë mbijetuar kohës.

“Leka e pati një mjet shprese vizatimin, në disa rrethana ka qenë i detyruar. Janë elementet e lojës, ikjes. Është një artist që thotë që elementi social qëndron në vështrimin e të tjerëve dhe jo të vetes”, tha kuratori i ekspozitës, Zef Paci.

Ekspozita “Vizatimet e një jete” do të qëndrojë e hapur për publikun deri më 28 prill në galerinë FAB.

A2 CNN Livestream

Dita jonë