Dhuna në stadiume, ligji i ngarkon rendin, policia jashtë stadiumeve

Dhuna në stadiumin e Kamzës ka rikthyer dhe një herë debatin nëse policia e shtetit duhet të garantojë mbarëvajtjen e ndeshjeve të futbollit. Pas ndryshimeve ligjore tashmë policia mbetet jashtë stadiumeve që sigurohen nga privatet por në të tilla raste ligji thotë se rendi dhe siguria janë detyrë e policisë së shtetit.
Administratorët e objekteve sportive në bashkëpunim dhe me shoqëritë e ruajtjes fizike duhet të plotësojnë këto 4 pika
a) të kryejnë kontrollin rigoroz të tifozëve në portat e hyrjeve në mjedisin sportiv;
b) të kryejnë sigurimin e vendkalimeve publike në mjedisin sportiv;
c) të kryejnë drejtimin e spektatorëve tek ulëset në mjedisin sportiv dhe mbajtjen e tyre nën kontroll
ç) të kryejnë sigurimin dhe mbrojtjen e lojtarëve nga futja e tifozëve në mjedisin sportiv.
Në ndeshjen mes Kamzës dhe Laçit situata precipitoi në dhunë ndërsa është fare e qartë se pika e fundit ku lojtarët duhet të mbrohen nga futja e tifozëve në fushë nuk u respektua.
Të gjendur përballë një situate të tillë e cila vazhdoi për disa minuta, policia jo vetëm që nuk ndërhyri por u fut në fushë pasi u lajmërua nga siguria private. Sipas ligjit policia e ka për detyrë të ndërhyje për të ruajtur rendin i cili në këtë rast jo vetëm që ishte prishur por brenda në fushe po rrihej e dhunohej një arbitër.
Diçka e tillë specifikohet që në pikën e parë të ligjit ndërsa në pikëpyetje mbetet dhe koha e veprimit nga ana e policisë e cila për raste të tilla nuk duhet të presë që të njoftohet nga dikush por të ndërhyjë.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN