Sondazh: Destinacionet e fundjavave tuaja janë:
  • Bregdeti 67%
  • Zonat malore 33%
  • Qendrat historike 0%

Dhunuesit seksualë, Komisioni i Sigurisë miraton dy nismat ligjore

Nga A2 CNN
17 Dhjetor 2021, 10:21 | Sociale
Dhunuesit seksualë, Komisioni i Sigurisë miraton dy nismat ligjore

Komisioni i Sigurisë Kombëtare ka miratuar parimisht dy nisma ligjore që synojnë krijimin e regjistrit kombëtar të të dënuarve për krime seksuale.

Të dyja nismat kanë si qëllim kryesor parandalimin e krimeve me natyrë seksuale, si dhe identifikimin e vendodhjes së të dënuarve për këto krime. Për këta persona, parashikohet monitorimi i vazhdueshëm nga policia dhe kufizime për punësimin e tyre.

Njëri projektligj mbërriti në Kuvend nga organizatat e shoqërisë civile, i mbështetur nga 22 mijë zgjedhës, ndërsa i dyti është depozituar nga deputetja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Erisa Xhixho.

Nisma e deputetes Erisa Xhixhos parashikon që regjistri të jetë i aksesueshëm nga organet e pushtetit vendor dhe institucionet arsimore, por jo nga publiku, për të mos krijuar urrejtje në shoqëri.

Ndërsa, organizatat e shoqërisë civile kërkojnë që regjistri të jetë i aksesueshëm për komunitetin dhe që çdokush që kërkon të dijë nëse në lagjen ku jeton ka një banor të dënuar për krime seksuale, ta mësojë këtë.

Dy nismat do të kthehen në një projektligj të vetëm, gjatë diskutimeve në komisionet përkatëse parlamentare.

Çdo vit raportohet për mbi 60 ngacmime seksuale ndaj minorenëve, shifër e cila sipas shoqërisë civile është shumë herë më e lartë, por nuk arrihen të zbulohen si raste.

A2 CNN Livestream

Ditari nga Bruna Çifligu