“Di si mposhtet Trump”, kryebashkiaku i Nju Jorkut i bashkohet garës presidenciale

Kryebashkiaku i Nju Jorkut, Bill De Blasio, i është bashkuar garës demokrate për zgjedhjet presidenciale të vitit 2020. Ai e cilëson veten si kandidatin më të mirë mes 23 të tjerëve, për të sfiduar presidentin Donald Trump.
Në një video të publikuar në internet, De Blasio nënvizoi një numër politikash me të cilat ka drejtuar qytetin, përfshirë pagën minimale 15 dollarë në orë. Ai gjithashtu sulmoi drejtpërdrejtë kreun e Shtëpisë së Bardhë, duke e quajtur atë një tiran, dhe shtoi se është i pajisur mirë për ta mposhtur atë në 2020.
“Unë jam Nju Jorkez, e kam njohur Trumpin për një kohë të gjatë dhe ai është një tiran. Kjo nuk është diçka e re, por unë di si ta mposht atë. Mos u dorëzoni përballë një tirani, konfrontojeni atë dhe rrëzojeni”, deklaroi De Blasio.
Kryebashkiaku shtoi se Trump duhet të ndalohet patjetër. Duke njoftuar se ka fituar ndaj tij, De Blasio pretendon se do të triumfojë sërish në përballjen me presidentin. Brenda partisë demokratike garojnë 23 kandidatë, ndërsa votimi i parë për parapraket pritet të zhvillohet brenda 9 muajve.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN