Sondazh: Destinacionet e fundjavave tuaja janë:
  • Bregdeti 60%
  • Zonat malore 20%
  • Qendrat historike 20%

Dialogu Kosovë-Serbi, Hoti: Njohje reciproke ose s’ka marrëveshje

Nga A2 CNN
21 Tetor 2020, 15:12 | Kosova
Dialogu Kosovë-Serbi, Hoti: Njohje reciproke ose s’ka

Qeveria e Kosovës mban qëndrim të prerë për dialogun me Serbinë. “Ky dialog është vetëm për marrëveshjen finale me njohje reciproke. Ky dialog është çështje muajsh, nuk kam iluzione për këtë. Nuk e di a do të përmbyllet me njohje reciproke, nuk e di a do të përfundojë me njohje, do të doja të përmbyllet me njohje, por e di që do t’i vijë fundi për disa muaj dhe do të sjellim një marrëveshje për njohje reciproke në këtë kuvend, ose do të konstatojmë së bashku me partnerët se nuk mund të arrihet kjo marrëveshje. Ju garantojë se kthehemi te vendosja e reciprociteti të plotë në çdo aspekt me Serbinë”, u shpreh Hoti.

Në interpelancë, kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti mbrojti vendimin për të ndaluar aplikimet në organizatat ndërkombëtare për një vit, pikë e cila ishte në marrëveshjen e nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë, duke thënë se puna përgatitore vazhdon.

Ai tha se kjo periudhë jep mundësinë Kosovës dhe Serbisë të arrijnë marrëveshjen përfundimtare për normalizimin e marrëdhënieve. Më herët, gjatë një konference për shtyp, shefi i qeverisë sqaroi njëherë e mirë çështjen e Asociacionit të Komunave Serbe në Kosovë, të cilën e konsideroi të mbyllur.

“Kushtetuta është prekur në vitin 2013 kur është ratifikuar kjo marrëveshje që është ratifikuar me 2/3 në Kuvendin e Kosovës, atë që kam deklaruar vazhdimisht po e them edhe sot që kjo çështje më nuk hapet, por është krijuar një obligim i shtetit të Kosovës karshi këtij asociacioni… Nuk preket karakteri unitar i shtetit të Kosovës dhe nuk ka kompetenca ekzekutive për Asociacionin dhe ju e dini se janë bërë publike edhe zotimet  e BE-së para ca viteve, kur është diskutuar marrëveshja e parimeve e vitit 2015”, tha Hoti.

Ndër të tjera, nënvizoi se kjo çështje nuk do të pengojë dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Europian.

A2 CNN Livestream

Debat - nga Alba Alishani