Dialogu Kosovë – Serbi në Uashington, Berisha: Prisja dobësi nga Hoti, por qëndroi si burrat

Ditën e djeshme, sipas deklaratave të palëve të përfshira, bisedimet midis Kosovës dhe Serbisë kanë arritur rezultate të kënaqshme, të paktën në fokusin ekonomik, dhe pritet të thellohen më tej sot, ku palët do të takohen edhe me presidentin amerikan Donald Trump.
Çështja e njohjes reciproke dhe ajo e kufijve nuk u trajtuan, por sipas Mal Berishës, ish-ambasadorit shqiptar në Mbretërinë e Bashkuar, bisedimet lejnë hapësirë për optimizëm.
“Frika më e madhe është frika që kanë njerëzit nga vetë frika. Atë që kemi parë mbrëmë është që dy palët kanë arritur një sukses. Pala serbe pompoi shumë triumfin e tyre për heqjen e pikës së njohjes reciproke, dhe ne u lehtësuam nga fakti që nuk u diskutua ndryshimi i kufijve. Të dy palët arritën një rezultat duke mos bërë atë që pritej”, thotë Berisha për A2.
Sipas tij, optimizmi vjen më së shumti nga angazhimi amerikan për çështjen, që sipas tij “duhet admiruar”. Edhe data e bisedimeve, sipas tij, në simbolizmin e saj tregon këtë angazhim. “Data 3 shtator është datë historike e marrëveshjeve, duke filluar nga ai i Camp David, që dekretoi paqen midis Izraelit dhe Egjiptit. Uashingtoni ka një histori shekullore ku nuk ka ndërmarrë asnjë aksion negativ për çështjen shqiptare në rajon. Ka ardhur koha që problemet të zgjidhen në tavolinë. Çfarëdo që do të dalë nga ajo marrëveshje do të jetë pozitive. Përmirësimi i marrëdhëniet ekonomike është diçka që popujt e dëshirojnë, ashtu si kalimi i kufirit, sjellin vetëm përmirësim të klimës”.
Optimist për amerikanët, por skeptik për europianët, duke ish-ambasadori. “Amerika ka një avantazh të madh, flitet me një zë, është presidenti që vendos. BE ka 27 zëra të ndryshme, ku 5 prej tyre nuk e njeh Kosovën. Tejzgjatja për realizimin e një marrëveshje ka qenë një nga dëmet që i është bërë Kosovës. Hyri në lojë një diplomate shumë e dobët, si Mogherini, që nuk ka kryer asgjë pozitive për këtë çështje. Tani ka një vëmendje të shtuar, me angazhimin e Merkel dhe Macron, që madje deklaroi që do të hynte në dhomat e diskutimeve. Ato mund t’i afrohen linjës amerikane, për hir edhe të marrëdhënieve euroatlantike”.
Duke folur për negociatat e djeshme Berisha pohon se ka mbetur disi i befasuar nga qëndrimi i kryeministrit kosovar. “Prisja një pozicion të dobët të Avdullah Hotit relativisht me Vucic, por duhet të them se ai qëndroi si burrat dhe i preu shkurt gjerat, duke qartësuar vijat e kuqe, ku nuk kalohet”.
Gjithsesi, sipas tij politika kosovare duhet të jetë e bashkuar për t’i dhënë një mandat të fortë kryeministrit, që përballet me një Vucic që gëzon një popullaritet të fortë në Serbi.