Dialogu Kosovë-Serbi, Thaçi: Takimi i së enjtes, i rrezikshëm për shtetësinë

Një goditje për shtetësinë e Kosovës dhe agjendë e Serbisë. Kështu e quan presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, vënien në tryezë të çështjes së asociacionit të komunave me shumicë serbe, gjatë bisedimeve që do të mbahen të enjten në Bruksel në kuadër te dialogut të ndërmjetësuar nga BE.
Për kreun e shtetit takimi është rrezikshëm. “Rihapja e çështjes së Asociacionit përsëri në Bruksel, pas një dekade, është rikthim prapa për Kosovën. Është goditje ndaj shtetësisë së Kosovës dhe cenim i sovranitetit e me rrezik për krijimin e Republikës Serbe në Kosovë. Për diçka të tillë mendoj se parlamenti i Kosovës duhet të jetë shumë i vëmendshëm. Këtë të drejtë nuk e ka askush që të ulet të diskutojë as të negociojë e lëre të pretendojë të arrijë ndonjë marrëveshje të re për Asociacionin”, deklaroi Thaçi.
Presidenti kosovar shtoi më tej se gjithçka ka përfunduar në vitin 2013 dhe me opinionin e Gjykatës Kushtetute të Kosovës. Formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe është parashikuar me marrëveshjen e parë të Brukselit të vitit 2013, e arritur në dialogun Kosovë-Serbi.
Në tetor të vitit 2015, ujdia u dërgua për interpretim në Gjykatën Kushtetuese nga presidentja e atëhershme, Atifete Jahjaga. Gjykata vlerësoi se Marrëveshja për Asociacionin në 23 pika të saj, nuk është në harmoni me Kushtetutën e Kosovës.
Në ceremoninë e organizuar me rastin e vitit të ri hebraik, Thaçi lartësoi rolin e Shteteve të Bashkuara në dialogun Kosovë- Serbi, duke shprehur besimin se vetëm në ndërmjetësimin e Uashingtonit mund të ndodhë njohja reciproke. Çdo përpjekje tjetër sipas tij është humbje kohe.