Sondazh: Destinacionet e fundjavave tuaja janë:
  • Bregdeti 50%
  • Zonat malore 50%
  • Qendrat historike 0%

Dimri i dytë, apo dimri i fundit?

Nga A2 CNN
31 Dhjetor 2020, 12:28 | Sociale
Dimri i dytë, apo dimri i fundit?

13 muaj pas tërmetit tragjik të 26 nëntorit të vitit 2019, nuk është e vështirë të gjesh njerëz ende nën çadra apo kontejnerë. Të harruar, të gënjyer, të nënvlerësuar nga autoritetet, këta njerëz vazhdojnë të shpresojnë nën çadra se do të kenë sërish një çati mbi kokë, por për momentin çadra është streha e tyre.

Kështu i gjetëm anëtarët e familjes Braçe dhe Guçi, në Arapaj të Durrësit. Vetëm kohët e fundit, kanë arritur të marrin bonusin e qirasë, dhe këtë pas ankesave dhe zhurmës - siç e quan Shpresa Guçi - që ka bërë në bashki. Për të festuar, është sa luks, aq edhe cinike për ta menduar.

Samanta ende nuk i ka mbushur 5 vjeç, e ndoshta kjo është arsyeja që vazhdon të buzëqeshë. Por, pavarësisht buzëqeshjes së çiltër, lutjen për babagjyshin nuk e ka si gjithë bashkëmoshatarët e saj, sepse nuk dëshiron lodra, por një shtëpi.

Rrugëtojmë drejt Njësisë Administrative të Ishmit, aty ku gjurmët e tërmetit janë ende prezente dhe me dhjetëra familje vijojnë të jetojnë në çadra, apo kontejnerë. Ky është dimri i dytë që 5 anëtarët e familjes Hoxha i gjen në çadër, ndërsa gjyshja e shtëpisë është ajo që e përjeton më së shumti, edhe për shkak të moshës së thyer. Fatmir Hoxha thotë se ka trokitur në dyert e institucioneve, por ende nuk ka gjetur mbështetje, qoftë për të siguruar një kontejner.

Me trishtimin që na reflektuan këta banorë - që shpresa i mban për një të nesërme më të mirë - ndalemi në fshatin Lalëz, në lagjen “Muharremi”, aty ku tërmeti ka shkatërruar të 7 banesat e kësaj zone. Njëra prej banesave është edhe ajo e profesor Agim Muharremit, i cili na mirëpret me kulturën e tij si arsimtar. Por, që kushtet në të cilat ka mbetur prej 13 muajsh e tradhtojnë dhe e përlotin teksa na tregon se si po e përballon dimrin. Por, gjen ngushëllim te shoku i tij i përjetshëm, libri, të cilin nuk e ndan nga duart, pavarësisht kushteve në të cilat jeton.

Në këto kushte, të gjithë personat e mbetur të pastrehë kanë vetëm një dilemë: ky do të jetë dimri i dytë, apo dimri i fundit?

A2 CNN Livestream

Dita jonë