Diplomacia ekonomike, ekspertja: Dështoi, nuk solli investime të huaja

Shqipëria ka dështuar me diplomacinë ekonomike. Në vendet e tjera kjo është një levë e rëndësishme për të thithur investime të huaja, gjë që nuk ka ndodhur me Shqipërinë.
Më shumë se kurrë vendi ka nevojë sot për kapital të huaj, në kushtet kur kanë përfunduar projektet madhore të gazsjellësi TAP dhe hidrocentralit të Devollit dhe ende nuk janë gjetur zëvendësuesit e tyre.
“Diplomacia ekonomike e mirëfilltë nuk ka funksionuar aq shumë, më shumë ka qenë diplomacia politike që është munduar të tërheqë investime. Duhen reforma ekonomike ekonomike dhe politike të mirëfillta që të rrisin imazhin e Shqipërisë në botë dhe të krijojnë besim tek investitorët e huaj”, thotë për A2 Zana Guxholli.
Ekspertja shpjegon natyrën e investimeve të huaja që kanë hyrë deri më tani në Shqipëri. Sipas saj, bëhet fjalë kryesisht për kompani që kanë shfrytëzuar asetet e vendit në vend të investimit direkt që do të kishte edhe impakt më të madh ekonomik.
“Investimet e huaja kane qenë vetëm në shfrytëzimin e burimeve natyrore, që nuk sjell njohuri për biznesin, as punësim. Kuptohet që paguajnë taksa, kështu që impakti nuk është i papërfillshëm, por nuk është ashtu si duhet të jetë. Sektorët që janë të rëndësishëm janë ato prodhues” , vijon Guxholli.
Një ndër pasojat e mëdha të krizës së Covid-19 do të jetë edhe tkurrja e fortë e investimeve të huaja. Sipas raportit të fundit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara për ekonomitë në tranzicion ku përfshihet edhe vendi ynë, fluksi i këtij kapitalit pritet të ulet me 38%.