Diplomacia ekonomike, Ministria e Jashtme pranon problemet, fajëson COVID-19

Diplomacia ekonomike renditej ndër prioritetet e mandatit të dytë të qeverisë Rama. Qëllimi ishte rritja e investimeve të huaja por gjërat duket se nuk shkuan sipas planeve. Këtë e pranon edhe Ministria e Jashtme, që ja faturon problemet situatës së krijuar nga COVID-19.
“Ndalesa që ka ndodhur prej pandemisë ka qenë edhe në vendet e tjera. Ajo që ka qenë agjenda jonë është limituar në mënyrë të jashtëzakonshme, qoftë në diplomacinë ekonomike si dhe në aktivitetet e tjera të ministrisë. Gjatë kësaj kohe, ajo që jemi përpjekur të bëjmë është të komunikojmë me partnerët”, thotë për A2 zëvendësministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Etjen Xhafaj.
Turizimi ishte sektori kryesor tek i cili Shqipëria synonte thithjen e investimeve, por është gjithashtu sektori që ka marrë goditjen më të rëndë.
“Që nga viti i kaluar kur ka patur falimentin e agjencisë turistike më të madhe, Thomas Coook, dhe deri tani, ka bllokim të skajshëm të sektorit”, pohon Xhafaj.
Një nga akuzat më të forta që i është drejtuar qeverisë Rama nga opozita është mungesa e investitorëve të huaj në vendin tonë. Zv/ministri Xhafaj përgjigjet duke treguar ndërtimin e parkut fotovoltaik të Karavastasë, një investim francez që pritet të investojë 100 milionë euro.
Me situatën e krijuar, Ministria e Jashtme thotë se ka përqendruar vëmendjen te brendet e mëdha botërore.