Sondazh: Destinacionet e fundjavave tuaja janë:
  • Bregdeti 50%
  • Zonat malore 50%
  • Qendrat historike 0%

Diplomati Bashkurti zbulon strategjinë e Rusisë dhe Serbisë për Kosovën

Nga A2 CNN
1 Korrik 2020, 14:21 | Kosova
Diplomati Bashkurti zbulon strategjinë e Rusisë dhe Serbisë

Diplomati Lisen Bashkurti ishte i ftuar në Ditari në A2 nga ku diskutoi dështimin e takimit në Uashington që erdhi jo lehtë, por si rezultat i aktakuzave të ngritura në adresë të presidentit të Kosovës dhe kreut të PDK-së.

Bashkurti u shpreh se nga viti 2018 është kaluar në bisedime informale mes Kosovës dhe Serbisë, me mungesë të theksuar transparence.

“Prokurori special, pikërisht pasi bëri publike aktakuzën bëri të ditur se ka pasur një presion në rritje kundër gjykatësit, i cili ka në administrim dosjen. Gjithashtu, gjatë procesit të negociatave Kosovë-Serbi ka rrjedhur informacion i shumtë se ka qenë në pikëpyetje edhe çështja e amnistisë penale, si pjesë e politikave për shkëmbime territoriale të Kosovës. Nga viti 2018 është kaluar në bisedime informale, me mungesë të theksuar transparence, duke u kaluar në një diplomaci konspirative dhe sot është e vështirë të kuptohet se çfarë është diskutuar mes Thaçit, Vuçiç dhe përzierjes së Ramës”, tha Bashkurti.

Bashkurti u shpreh se ka konfuzion në qasjen diplomatike të Shtëpisë së Bardhë ose në diplomacionë publike. “Kjo mungesë transparence tregon se ka elemente të papastra dhe kjo thuhet edhe nga diplomatë dhe media serioze se ka përpjekje për marrëveshje të papastra, për të mos thënë të pista. Bisedimet kanë shkuar në mënyrë kaotike. Shqipëria është përfshirë në këtë proces në mungesë të theksuar transparence, duke përkrahur skenarë, të cilët më së shumti kanë shkuar në favor të Serbisë”, u shpreh Bashkurti.

Sipas diplomatit, aleanca Serbo-Ruso, jo vetëm që vazhdon traditën e saj, por kohët e fundit është vitalizuar shumë. Bashkurti zbulon edhe strategjinë e Rusisë dhe Serbisë për këtë çështje, të paktën sipas tij.

“Fakti që vetëm 3-4 para se të nisej në Samitin e Uashingtonit, ministri i Jashtëm rus Lavrov bëri vizitë në Serbi, ndërsa më pas presidenti serb bëri vizitë në Moskë, ku u takua me Putin, mund të thuhet se ishte një sfidë e hapur ndaj Shtëpisë së Bardhë. Mesa duket Serbia dhe Rusia e kanë të qartë skenarin e tyre, i cili synon ta mbajë të hapur krizën e Kosovës. Një skenar që synon të sfidojë elementet themelore të sovranitetit të shtetit. Të dyja palët kërkojnë ta kthejnë çështjen e Kosovës në agjendën ndërkombëtare si një çështje të pambyllur dhe për ta çuar në Këshillin e Sigurimit, ku në mënyrë të veçantë do të rritej roli i Rusisë dhe i Kinës në trajtimin e kësaj çështje”, u shpreh Bashkurti.

A2 CNN Livestream

Dita jonë