Dita e parë e punës, Piro Misha hyn në Bibliotekën Kombëtare si drejtor – A2

Dita e parë e punës, Piro Misha hyn në Bibliotekën Kombëtare si drejtor

Është një ndërtesë e vjetër, porta e së cilës nuk të grish. Kështu mund ta përshkruajmë impaktin e parë të drejtorit të ri të Bibliotekës Kombëtare për këtë institucion, Piro Misha.
“Është një institucion të cilit i është rënë në qafë. Mjafton të hysh këtu, hyrja është depresive. Akoma është dera e duraluminit të post-komunizmit, është një gjë që mund të gjendet një rrugë. Instituti i Kulturës italiane është dhjetë herë më i dukshëm”, deklaroi në prezantimin e tij drejtori i ri.
Sfidat për të nisin që nga hyrja, por nuk është kjo sfida kryesore.
“Një sfidë për mua intelektualisht është plotësimi i koleksionit. Kjo bibliotekë u krijua nga Mit’hat Frashëri me idenë që çdo gjë e lidhur me Shqipërinë të jetë këtu, nuk ka justifikim që të mungojnë librat kryesorë”, shtoi ai.
Në ditën e parë të punës, Misha është shoqëruar drejt zyrës së tij nga ministrja e kulturës Elva Margariti dhe paraardhësja e tij Persida Asllani, që e la detyrën për t’iu rikthyer jetës akademike.
“Miro Misha është një intelektual me emër në jetën e librit, por mbi të gjitha një person që e do librin dhe përkujdeset për të. Kjo e bën njeriun e duhur në vendin e duhur”, deklaroi Asllani.
Ministrja Margariti theksoi se që në takimin e parë është biseduar për gjendjen aktuale të ndërtesës ndaj edhe po punohet me emergjencë për nisjen e ndërtimit të një biblioteke të re. E megjithatë nuk dihet ende as ku do të jetë biblioteka e re dhe as se kur do të nisë puna për të.

Shkarkoni aplikacionin e A2