Sondazh: Destinacionet e fundjavave tuaja janë:
  • Bregdeti 67%
  • Zonat malore 17%
  • Qendrat historike 17%

Djegia e makinës së Lelit, dyshime për konfliktet në zonën e Radhimës

Nga A2 CNN
11 Tetor 2019, 19:56 | Kronikë
Djegia e makinës së Lelit, dyshime për konfliktet në

Djegia e qëllimshme e fuoristradës që përdorej nga kryetari i Bashkisë së Vlorës, Dritan Leli, ka shtyrë policinë të përqendrojë hetimet për gjetjen e autorëve tek përplasjet e banorëve në zonën e Radhimës, ku po zhvillohet një aksion për prishjen e mbi 60 ndërtimeve në breg të detit.

Burime pranë Drejtorisë së Policisë së Vlorës, kanë pohuar për A2 se dyshimet më të mëdha janë që djegia e makinës së kryebashkiakut të jetë bërë nga persona që u janë cenuar interesat nga prishjet që po vijojnë në bregdetin e Radhimës.

Edhe pse policia ka ngritur dyshime konkrete mbi motivet e kësaj ngjarjeje, ende nuk ka asnjë emër konkret të dyshuar. Nga deklaratat e dëshmitarëve, në zonën ku u dogj automjeti janë parë të lëviznin dy motora që dyshohet se janë përdorur nga autorët e kësaj zjarrvënieje të qëllimshme.

Ndërkohë, burimet policore pohojnë se vetë kryetari i Bashkisë së Vlorës nuk ka dhënë ndonjë version konkret për djegien e automjetit që ai përdorte.

“Nuk di të kem ndonjë mosmarrëveshje që të justifikojë këtë veprim”, mësohet të ketë deklaruar kryebashkiaku Leli përpara oficerëve të Policisë Gjyqësore. Ndërkohë, Vlora është qyteti ku janë shënuar më shumë raste të djegieve të automjeteve dhe që thuajse të gjitha ngjarjet kanë mbetur të pazbardhura. 

A2 CNN Livestream

Debat - nga Alba Alishani