Dosja 184, Alibeaj: Kompetencë e SPAK-ut, ia ngarkon Kushtetuta

Asnjë dilemë për ish ministrin e Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, sot anëtar i Kryesisë së Partisë Demokratike. Hetimi i dosjes 184, sipas tij, ishte kompetencë e SPAK.
“Nuk ka ligj të paqartë, ligji është i qartë. Mjafton të them Kushtetutën. SPAK heton këto tre kategori: Krimi i organizuar, korrupsion zgjedhor dhe mjafton që dyshimi të jetë për subjektet më të larta shtetërore, President, Kryeministër, Deputetë”, thotë Alibeaj.
Alibeaj, jurist në profesion, citon nenin 75/A të Kodit të Procedurës Penale, sipas të cilit akuzat ndaj zyrtarëve të lartë si Kryeministri dhe deputetët, janë përgjegjësi e SPAK dhe Gjykatës kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
“Kodi i Procedurës Penale thotë që vepra penale ku autoritete të larta rezultojnë se konsumojnë çdo vepër penale, janë lëndë e parë dhe ekskluzive e SPAK-ut”, thotë ai për A2.
Argumenti i dytë i tij bazohet në nenin 328 të Kodit Penal, për premtimin në këmbim të votës.
Për të , “në Kodin Penal prej shumë kohësh ka dispozita për kodin zgjedhor, si korrupsioni në procese zgjedhore, ja pse kompetenca është e SPAK”.
Përgjigjes së pikëpyetjeve se kush prevalon mes një prokurorie normale dhe SPAK, Alibeaj i përgjigjet duke thënë se “në Kod është e qartë, ai që e zgjidh është drejtuesi i SPAK, që jo vetëm ka detyrimin për t’ i hetuar, por edhe çështjet e lidhura me këtë do të duhet t’i tërheqë”.
A2CNN kërkoi mendimin edhe të deputetëve të ndryshëm të Partisë Socialiste, por ndryshe nga sa ndodh me dosje të tjera hetimore, mbi dosjen 184 askush nga mazhoranca nuk preferoi të komentonte.