Dosja 184, PS: Ligji është i qartë për kompetencat e SPAK

Në 2016 Kushtetuta parashikoi një strukturë të posaçme për hetimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit tek zyrtarët e lartë.
SPAK u pa si shpresa që do t’i japë fund pandëshkueshmërisë, edhe asaj që buron nga korrupsioni zgjedhor. Tri vit e gjysmë nga miratimi duket se prokurorët janë të paqartë për kompetencat ligjore.
A2 ka pyetur ligjvënësit nëse ligji dhe kompetencat e strukturës së posaçme anti-korrupsion kanë nevojë për ndërhyrje apo jo. “Nuk ka ligje perfekte, por një kuptim i drejtë vjen me zbatimin e tij”, u shpreh Vasilika Hysi.
Debati për kompetencat e SPAK në çështje ku janë përfshirë zyrtarë të lartë, lindi pasi SPAK shpalli moskompetencën për hetimin e dosjes 184 që ka si objekt korrupsionin elektoral dhe e riktheu atë në Dibër.
Në Prokurorinë e rrethit dosja përfundoi verën e shkuar pas dy vitesh hetim pa rezultat nga prokuroria e krimeve të rënda. Pjesë e saj janë përgjimet e fushatës për zgjedhjet e pjesshme të Dibrës, ku figurojnë ministra, deputetë dhe ish-deputete socialistë, zyrtarë vendorë dhe drejtues policie, por edhe kryeministri Rama.
Për PD ping-pongu me dosjen nuk e ka bazën në boshllëqe ligjore, por te mungesa e vullnetit politik. “Ligji është shumë i qartë, mjafton që dyshimi të jetë për subjektet më të larta shtetërore”, deklaroi për A2 Enkeled Alibeaj.
Dosja 184 u hap pas kallëzimit të Partisë Demokratike në fushatën për zgjedhjet e pjesshme për bashkinë e Dibrës në 2017. Publikimi i përgjimeve nga gjermanja Bild në kulmin e krizës politike vjet, i dha edhe më shumë jehonë. Sot asnjë politikan nuk është hetuar, ndërsa organi i akuzës në çdo nivel vijon të shpallë moskompetencën.