Sondazh: Destinacionet e fundjavave tuaja janë:
  • Bregdeti 50%
  • Zonat malore 50%
  • Qendrat historike 0%

Drejtësia raporton para politikës, PS e PD “orientojnë” SPAK drejt njëri-tjetrit

Nga A2 CNN
15 Korrik 2022, 11:36 | Politikë
Drejtësia raporton para politikës, PS e PD

Politika vendosi t’i mbledhë në një ditë brenda parlamentit drejtuesit e pesë institucioneve që qeverisin drejtësinë. Salla kryesisht e boshatisur gjatë raportimit të tyre nuk shmangu debatet. Përkundrazi! I pari që hapi siparin e kritikave politike ndaj drejtësisë ishte vetë Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi. Kreu i rendit në Shqipëri kishte një porosi për SPAK.

“Besoj se askujt nuk i shkonte ndërmend derisa ka filluar të funksionojë sistemi i ri i drejtësisë te kryetarë bashkish, ministra e deputetë, të gjithë të partisë qeverisëse, po hetohen, janë hetuar, po gjykohen dhe janë dënuar në një kohë rekord. Nuk mund të mbesë ndëshkimi nga drejtësia vetëm në njërën anë të politikës, vetëm në atë të mazhorancës”, tha Çuçi.

Ndonëse drejtësia e re ka vënë prapa hekurave kryesisht zyrtarë të lartë të PS-së, kjo nuk është e mjaftueshme për demokratët. Sali Berisha kërkon që rrjeta e SPAK të hidhet në zyrën e Kryeministrit. “Pyesni pak përfaqësuesit e SPAK, t’iu thonë pse nuk hetojnë sarajet e Edi Ramës. Pyesni pak se nuk hetojnë pallati në pajë të familjes Basha për të cilën nuk ka asnjë faturë. Pyesni pak pse nuk hetojnë Edi Ramën, Arben Ahmetajn, Agaçin për aferën e djegësve”, tha Berisha.

Elisa Spiropali vijon të mbajë detyrën e caktuar nga Edi Rama muaj më parë për të replikuar me Berishën, por këtë herë e pati më të vështirë. Mallkimi, apo syri i keq qoftë, kaloi shpejt dhe zëri iu rikthye. Akuzat treguan se përveç Berishës, socialistët po përgatiten edhe për një rival tjetër që pritet t’u vijë pas pak ditësh. “Do t’iu shtohet hareja se ju patjetër e mundët Lulin që u vetëmund, edhe mendoni që me atë protestën me kuadrate në bulevard, ku shumica e deputetëve ishin të detyruar të vinin që mos të shpalleshin armiq. Keni mundur edhe Enkelejdin që as nuk diti ku ishte, por do të gëzoheni më shumë se do të shtoheni me Ilirin”, tha Spiropali.

Qëndrimet politike nuk shpërqendruan ata pak socialistë që kishin dëgjuar me vëmendjen fjalët e krerëve të drejtësisë. Fatmir Xhafaj nuk nguroi të tregonte me shembuj se korrupsioni në këtë sektor është ende më se i dukshëm. “Ne nuk mund të pranojmë të kemi drejtësi të re me dy standarde hetimi e gjykimi. S’mund të jetë ndryshe teksa sheh një ish-gjyqtar të Gjykatws Kushtetuese, çështja e të cilit shkon për gjykim në Gjykatën e Posaçme për një shtëpi 60 m2, ndërsa për disa të tjerë të flakur nga sistemi për shkak të pasurive marramendëse, deri miliona euro me letra, çështjet transferohen për efekt juridiksioni në gjykatat e rretheve gjyqësore të Durrësit, Elbasanit e Tiranës me shpresën se mund të gjendet ndonjë prokuror që të shërbej si lavatriçe e pastrimit të dosjeve të tilla”, tha Xhafaj.

Ndërsa Pandeli Majko tregoi thembrën e dytë të Akilit në organin e akuzës, aty ku pritshmëritë e qytetarëve janë më të larta. “Marrëdhënia e Prokurorit të Përgjithshëm me strukturën e re të drejtësisë është një krizë e pashpallur. Ndërsa në Strukturën e Posaçme Anti-Korrupsion (SPAK), marrëdhënia midis Prokurorisë së Posaçme dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit ka cilësi të “luftës së ftohtë”. Mungesa e koordinimit në organet e akuzës është shqetësuese dhe me "fajtorë pa faj". Përfaqësuesit e drejtësisë duhet të mirëkuptojnë se konfuzioni që vjen nga aplikimi i reformës në drejtësi po rrit kontrollin e antiligjit në shoqëri”, tha Majko.

Për ILD, KLGJ, KLP, Prokurorinë e Përgjithshme dhe SPAK Kuvendi la disa rekomandime ku theksi vihet tek lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

A2 CNN Livestream

Ditari nga Bruna Çifligu