Dritëhijet e garancisë sovrane të qeverisë

Bizneset që do të kërkojnë kredi në bankë për të paguar punonjësit, në kuadër të garancisë sovrane 1 me vlerë 100 milionë dollarë duhet të marrin përsipër riskun, që në rast të moskthimit të huasë, qeveria t’u marrë aksionet e kompanisë. Në letrën që bankat në emër të Ministrisë së Financave ua dërgojnë të gjithë klientëve që kërkojnë një kredi të tillë, theksohet se “nëse në fund të periudhës së huasë, sipas marrëveshjes së garancisë, huamarrësi nuk kthen detyrimin ndaj huadhënësit, ai humbet të drejtën e aksioneve, të cilat do të shiten nga struktura përkatëse, që nënkupton ministrinë e financave dhe ekonomisë, sipas legjislacionit në fuqi”.

Në këto kushte, disa janë pyetjet që ngrihen? Për çfarë i duhen qeverisë dhe ministrisë së financave aksionet e një kompanie të falimentuar? Në rast se aksionet do të ekzekutohen, ku do të tregtohen, kur në Shqipëri mungon një treg kapitalesh? Si do të veprojë Ministria e Financave me rastet e bizneseve që pasi marrin kredinë, shpallin falimentin? Janë shqetësime që ngrihen e për të cilat zyrtarisht, nuk ka ende një shpjegim. Ndërkaq, pritet që këto ditë të jetë gati edhe instrumenti i garancisë sovrane 2, me vlerë 150 milionë dollarë, e cila do të përdoret që biznesi të marrë kredi për likuiditet. E për këtë të fundit, sipërmarrja ka shumë nevojë. Por bizneset deklarojnë se kushtet për të marrë këtë kredi nuk janë të favorshme dhe ky instrument i qeverisë nuk i ndihmon aspak. Për të diskutuar për ketë temë, foli në A2 Business Sherif Bundo, ekspert për ekonominë.